Sipas Palmerit, Prishtina dhe Beogradi duhet të arrijnë marrëveshje dhe të përcaktojnë rrugën drejt së ardhmes evropiane

Sipas Palmerit, Prishtina dhe Beogradi duhet të arrijnë marrëveshje dhe të përcaktojnë rrugën drejt së ardhmes evropiane

I dërguari i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer tha se SHBA-ja dëshiron të shohë normalizim të plotë të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, që do të nënkuptonte njohje të ndërsjellë.

“Sikur ta njihnin njëra-tjetrën, ato do të mund t’i zgjidhnin çështjet e diskutueshme si fqinj”, tha Palmer për televizionin N1 në Sarajevë.

Sipas tij, Prishtina dhe Beogradi “duhet të ulen në tryezë, të arrijnë marrëveshje dhe bashkë të përcaktojnë rrugën kah e ardhmja evropiane”.

“Është e nevojshme një marrëveshje që do të pranohej nga publiku në të dyja anët dhe do të mbështetej si rruga më e mirë përpara”, tha Palmer, duke shtuar shtuar se marrëveshja do të duhej të ishte “e zbatueshme, e drejtë dhe e qëndrueshme”.

Palmer po ashtu tha se ka një marrëdhënie shumë të mirë me të dërguarin e Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Emërimi i Palmerit në gusht dhe i Grenellit pak muaj më vonë janë parë si shenjë e përfshirjes gjithnjë e më të madhe të Shteteve të Bashkuara në dialogun Kosovë-Serbi. Ky dialog është ndërprerë qysh në fund të vitit të kaluar, kur Kosova ka nisur me aplikimin e një takse mbi mallrat e importuara nga Serbia.

Përkundër thirrjeve të SHBA-së dhe të Bashkimit Evropian – si ndërmjetësues i dialogut – Kosova nuk e ka hequr taksën, ndërsa Serbia ka kundërshtuar vazhdimin e dialogut pa heqjen e taksës.

Kosova aktualisht është në negociata për formimin e qeverisë së re./rel