“Duhet të jemi këmbëngulës dhe të përpiqemi që edhe justifikimin e  fundit ta largojmë, e kjo është ligji për Prokurorinë Publike"

“Duhet të jemi këmbëngulës dhe të përpiqemi që edhe justifikimin e  fundit ta largojmë, e kjo është ligji për Prokurorinë Publike”

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin fuqishëm Maqedoninë e Veriut dhe perspektivën e saj evropiane, pohon përfaqësuesi i posaçëm i sekretarit shtetëror të SHBA-së për Ballkanin Methju Palmer.

Arsyeja e vizitës së tij në Shkup është pikërisht rikonfimimi dhe përforcimi i kësaj mbështetjeje deklaroi ai pas takimit me ministrin e Jashtëm të vendit.

“Po vij këtu menjëherë pas ratifikimit të protokollit nga Senati i SHBA-ve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Aleancën Veritalantike, andaj është koha e duhur për të qenë këtu, gjithashtu edhe pas vizitës së Sekretarit Pompeo, për të riafirmuar dhe përforcuar mbështetjen e fuqishme amerikane për Maqedoninë e Veriut si dhe për rrugën dhe perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut”, u shpreh Methju Palmer, përfaqësues i posaçëm i Sekretarit shtetëror të SHBA-së për Ballkanin.

Në takim është folur edhe për rëndësinë e hapjes së kapitullit evropian i cili është në interesat e Shkupit por dhe të Uashingtonit po ashtu, deklaroi shefi i Diplomacisë Nikolla Dimitrov.

“Duhet të jemi këmbëngulës dhe të përpiqemi që edhe justifikimin e  fundit ta largojmë, e kjo është ligji për Prokurorinë Publike; dhe në të ardhmen të dalim edhe më të përgatitur dhe këmbëngulës për të gjetur mënyrë se si të gjitha vendet anëtare të BE-së, bashkë me ne të gjejmë mënyrë që të adresojmë shqetësimet e tyre por edhe interesat tona, sepse kemi interesa të përbashkëta”, deklaroi Nikolla Dimitrov, ministër i Punëve të Jashtme.

Ministri Dimitrov po ashtu theksoi se Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës dhe ajo nuk mund të jetë e suksesshme dhe stabile nëse rajoni ynë mbetet i brishtë, raporton TV21.

E pas dushit të ftohtë të 18 tetorit kur Franca na pamundësoi hapjen e negociatave me Shkupin, kryeministri Zoran Zaev po kërkon të sigurojë informacione për perspektivën e vendit para takimit të Këshillit për Punë të Jashtme të BE-së që është paraparë të mbahet në fund të nëntorit.

Për t’i siguruar ato që Zaev i quajti informacione të dorës së parë për detajet se çka planifikon BE-ja për zgjerimin dhe metodologjinë e re, Kryeministri Zaev takoi sot homologun e tij italian Xhuzepe Kont ndërsa Italinë e konsideron vend me ndikim mbi anëtarët e Unionit.

Pas Romës, Zaev ka udhëtuar drejt Brukselit ndërsa sonte pritet të jetë në një darkë të përbashkët me përfaqësuesen e lartë të BE-së Federika Mogerinin dhe liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor./21Media