Sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik dhe dialogu Kosovë-Serbi temë mes Palmer-it dhe LDK-së

Sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik dhe dialogu Kosovë-Serbi temë mes Palmer-it dhe LDK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar se kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, së bashku me nënkryetaren Vjosa Osmani, takuan zëvendësndihmës sekretarin e Shtetit, Matthew Palmer në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.

“Gjatë këtij takimi shumë produktiv, u diskutua lidhur me çështjet që LDK i sheh si prioritet për institucionet e ardhshme që lidhen me agjendën e brendshme si dhe politikën e jashtme të Republikës së Kosovës, siç janë sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik dhe dialogu Kosovë-Serbi”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Mustafa e falënderoi Palmer për angazhimin shumë aktiv dhe përkrahjen e Shteteve të Bashkuara si dhe për angazhimin e tij personal për ta përkrahur Kosovën në të gjitha prioritetet dhe sfidat që na presin.

Siç thuhet në komunikatën e LDK-së, Përfaqësuesi Special, Matthew Palmer foli për atë se si Kosova mund të shtrojë rrugën drejt paqes përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë.

Zëvendësndihmësi i sekretarit të Shtetit i SHBA-së, njëherësh Përfaqësues Special i sekretarit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer gjatë ditës do të flasë para një publiku të përbërë nga studentë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Pas fjalimit, ai do të përgjigjet në pyetjet nga ky publik, njofton Ambasada e SHBA-së në Prishtinë.

Po ashtu, Palmer pritet që sot nga ora 13:30 do të takojë edhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin. Zëvendësndihmësi i sekretarit të Shtetit i SHBA-ve, kohë më parë u emërua si Përfaqësues Special i sekretarit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor./21Media