Reagimi i SHSKUK

Reagimi i SHSKUK

SHSKUK përmes një njoftimi për media ka reaguar pas publikimit të videos në rrjetet sociale, ku një i moshuar shihet duke rënkuar në korridorin e Klinikës Emergjente të QKUK-së, ndërsa nuk i ofrohet ndihmë nga personeli mjekësor. Sipas këtij institucioni, pacientit me inicialet A.E, i është ofruar disa herë ndihmë mjekësore në Klinikën Emergjente.

“Zyra e Drejtorit të Përgjithshëm të SHSKUK-së,  dëshiron të sqaroj opinionin në lidhje me rastin të moshuarit, filmimet e të cilit kanë dalë mbrëmë në media. Mjekët kujdestarë në Klinikën Emergjente me datë 16.01.2019,  në bazë të raporteve mjekësore dëshmojnë për trajtimin e pacientit me inicialet A.E.  I njëjti është pranuar, diagnostifikuar dhe në të njëjtën kohë janë konsultuar shërbimet subspecialistike.  Pacienti fillimisht është sjellë me autoambulancë nga Mitrovica, për në Klinikën Emergjente në Prishtinë”, bëhet e ditur në reagim.

Ndër tjerash, bëhet e ditur se pacienti ka qëndruar edhe më tutje në Klinikë, sepse ka pritur që të vijë ndonjë i afërm për ta marrë.

“Pacienti A.E. është kontrolluar edhe në Klinikën Emergjente disa herë brenda kohës sa ka qëndruar në Klinikën Emergjente dhe të njëjtit i janë dhënë edhe këshilla të mëtutjeshme mjekësore. Pacienti ka qëndruar në Klinikën Emergjente edhe për një kohë pas trajtimit për shkak se është pritur që të vijë ndonjë i afërm ta marrë”, bëhet e ditur.

Sipas këtij njoftimi, kjo nuk është hera e parë që pacienti A.E. merr ndihmë mjekësore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“Në muajin tetor të vitit 2018, i njëjti është shtrirë për disa ditë edhe në Klinikën e Kardiologjisë në QKUK ku ka marrë të gjithë trajtimin e nevojshëm mjekësor. Të gjithë këto dëshmi të mjekëve i vërtetojnë edhe pamjet e kamerave të sigurisë”, përfundon ky reagim.