Panair punësimi për të rinj, pa të rinj

Në panairin për punësim, ku shënjestër ishin kryesisht punësimi i të rinjve, mungonte vetëm një gjë, të rinjtë.

Edhe përkundër masave të ndryshme të ndërmarra nga agjencia për punësim e Maqedonisë, shumica e të pa punëve vazhdon të përbëhet nga të rinjtë.  Zëvendës drejtori i agjencisë, Arben Ziberi thotë se problemi i mos-punësimit të mjaftueshëm tek të rinjtë qëndron në mungesën e informimit, shkruan TV21.TV

“Ka të bëjë shumë me mos informimin e të rinjve. Sinqerisht ju them se nuk kanë informata reale. Kemi shumë ankesa nga shumë punëdhënës se nuk mund të gjejnë punëtorë. Prandaj i bëj thirrje të gjithë të rinjve që të vijnë ti vizitojnë këto panaire, me të vërtetë është një mundësi shumë e mirë për të gjetur punë”, u shpreh Arben Ziberi, Zëvendës drejtor i Agjencisë për punësim.

Largimi i rinisë së shkolluar nga Maqedonia për të kërkuar “bukë” në vende të huaja nuk është gjë e re, por këtë e tha edhe njëri nga punëdhënësit e shumtë, që kishte hapur tendën në këtë panair.

“Momentalisht ballafaqohemi me një deficit të madh në tregun e punës, sepse gjithnjë e më shumë të rinjtë po drejtohen në shkenca shoqërore dhe jo shkenca teknike, dhe mu për këtë paraqitet ajo mungesa për kuadër teknik”, tha Denis Dimovski, Punëdhënës.

Sipas një punëdhënësje, mungesa e komunikimit të mirëfilltë është një ndër shkaqet që të rinjtë rrijnë pa punë.

“Mendoj që ndoshta nuk kanë vetëbesim kur bëhet fjalë se do të mund të kenë suksese në ndonjë firmë. Nuk mendoj që nuk duan të punojnë por mendoj që është më e vështirë të gjendet gjuhë e përbashkët mes punëtorëve dhe firmës”, tha Ivona Mojsoska.

Panairi i sotëm ishte cikli i tretë i panaireve për punësim, i cili ka zgjatur gjatë muajit të kaluar në 6 qytete të vendit. Ndryshe, numri i të papunëve në Maqedoni është rreth 218 mijë, ndërsa në faqen zyrtare të agjencisë për punësim shkruan se ekzistojnë mbi 6800 vende të lira pune./21Media

Back to top button