Panxha: Pasiguria politike, armiku më i madh në ekonomi

Mosmiratimi i buxhetit 2020 ndikon mjaft në uljen e aktiviteteve ekonomike

Kriza politike si pasojë e vonesës së formimit të Qeverisë së re pas zgjedhjeve të 6 tetorit ka krijuar një pasiguri për bizneset në Kosovë dhe rënie të investimeve të huaja direkte. Dështimi në formimin e institucioneve, për drejtorin e ekzekutiv të Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha ka impakt negativ në ekonomi dhe po shkakton probleme të shumta në sektorin privat që do të reflekton në fund të vitit, në normën e rritjes ekonomike.

Panxha në një intervistë për Kp ka thënë se ka projekte të shumta që kishin nisur së zbatuari, por në këtë situatë politike nuk mund të vazhdojnë për shkak të mungesës së institucioneve qeveritare.

Ai ka shtuar se ‘ngërçi’ politik ka impakt negativ edhe në perceptimin e bizneseve për investime të reja, sepse siç ka thënë ai, iu nevojitet një siguri institucionale dhe politike.

“Mospasja e institucioneve funksionale po i shtynë investimet e reja, po krijon pasiguri si te bizneset dhe qytetarët. Andaj, pasiguria është armiku më i madh i ekonomisë… Ne duhet të flasim së pari për investimet e kompanive të Kosovës, sepse ndikon në hezitimin e investimeve për shkak se në këtë situatë nuk dihet çka është ka ndodhë. Është një pasiguri dhe kur ndodhë kjo me investitorët e brendshëm, është më e theksuar edhe me investitorët e jashtëm. Shifrat po tregojnë që kemi rënie drastike të investimeve të huaja direkte në Kosovë”, ka pohuar Panxha.

Për drejtorin e Klubit të Prodhuesve, edhe mosmiratimi i buxhetit 2020 ndikon mjaft në uljen e aktiviteteve ekonomike dhe mungesa e investimeve kapitale do të reflektoi në rritjen ekonomike.

“Problem tjetër më akut është edhe mosmiratimi i buxhetit dhe mosshpenzimi i projekteve kapitale, sepse kemi rreth 500 milionë euro të investimeve kapitale, të cilat nuk janë shfrytëzuar në ekonominë e Kosovës për shkak se Qeveria në ikje nuk i ka kompetencat për të vendosur. Andaj, kjo ndikon jashtëzakonisht shumë edhe në uljen e aktivitetit ekonomik, sepse Qeveria është shpenzuesi më i madh në ekonomi dhe mungesa e investimeve nga qeveria do të reflekton si te bizneset, ashtu edhe në rritjen ekonomike në fund të vitit”, ka thënë ai.

Si komunitet i bizneseve, Panaxha ka shtuar se për ta mbetet e pa qartë shtyrja e marrëveshjes për formimin e qeverisë së re.

“Të gjitha kanë efekte të mëdha negative dhe për ne si përfaqësues të bizneseve është e pakuptimit  shtytje e pafund për nënshkrimin e një marrëveshje dhe fillimin e qeverisjes”, ka deklaruar Panxha.

Kujtojmë se në korrik të vitit të kaluar kryeministri Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje, ndërsa më 6 tetor janë mbajtur zgjedhjet parlamentare, por që nga ajo kohë, dy partitë më të mëdha në vend janë në përpjekje për arritjen e një marrëveshje bashkëqeverisëse e që nuk ka rezultuar ende me ndonjë rezultat për formimin e Qeverisë.

Back to top button