"Atje ka fëmijë që janë të uritur, të etur dhe nuk kanë ilaçe"

“Atje ka fëmijë që janë të uritur, të etur dhe nuk kanë ilaçe”

Duke folur nga Sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan, para nisjes drejt Emirateve të Bashkuara Arabe, Papa Françesku tha se po e përcjell me shqetësim të madh krizën në Jemen.

“Popullata e Jemenit është e lodhur nga ky konflikt i gjatë dhe shumë fëmijë po vuajnë nga uria, por nuk po kanë mundësi që të marrin furnizimet me ushqim”, tha Papa Françesku.

“U bëj thirrje të gjitha palëve të përfshira në konflikt dhe komunitetit ndërkombëtar që të bëjnë trysni që të respektohen marrëveshjet që janë arritur, në mënyrë që të garantohet që furnizimet me ushqim, të arrijnë te njerëzit. Atje ka fëmijë që janë të uritur, të etur dhe nuk kanë ilaçe”, tha Papa Françesku.

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë luajtur një rol kyç në koalicionin e udhëhequr nga Arabia Saudite, që për pothuajse katër vjet lufton rebelët Houthi në Jemen.

Papa Françesku do të bëhet Papa i parë që viziton Gadishullin Arabik dhe pritet që gjatë këtij udhëtimi të bëjë dy adresime publike.