Haradinaj: Kosova i bën thirrje për pajtim Serbisë, ta njohë Kosovën në kufijtë e vet

Haradinaj: Kosova i bën thirrje për pajtim Serbisë, ta njohë Kosovën në kufijtë e vet

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në fillim të fjalimit të tij në tubimin qendror për shënimin e 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës, u shpreh tejet i lumtur që emra të lartë që i kontribuan pavarësisë ishin të pranishëm sot.

Duke folur para të pranishmëve, Haradinaj i shprehu mirënjohje presidentit amerikan, Bill Clinton, i cili ndali spastrimin etnik dhe trenat e vdekjes për popullin kosovar.

“Ju e ndalët spastrimin etnik, sot një popull i rilindur ju falënderon për jetë, për këtë ju takojmë juve, botës së popujve të lirë, që e udhëheq Amerika. Kosova vlerë e re në rajon, vlerë e shtume në Kosovë. Sot Kosova është atdheu i të gjithë atyre që jetojnë në Kosovë”, tha Haradinaj, shkruan rtv21.tv

Haradinaj i bëri thirrje Serbisë ta njohë Kosovën dhe se Kosova është e gatshme për pajtim.

“Paqen e bëjnë të guximshmit, e ne guxojmë me u pajtu me Serbinë. Populli ynë guxon me u pajtu me Serbinë. I bëjmë thirrje popullit të Serbisë, edhe presidentit Vuçiq, që ta njohë Kosovën si të pavarur në kufijtë e vetë. Në menyrë që ne që qeverisim, të punojmë më shumë, të fokusohemi në vende të punës, në mundësinë për jetë, qeverisje më të mirë, në luftimin e korrupsionit, në forcimin e rendit dhe ligjit në vendet tona. Në mënyrë që brezave tjerë t’ua lëmë lirinë dhe respektin, e jo luftën për territore e kufij”, tha Haradinaj.

Sot bëhen 20 vjet që kur trupat e NATO-s ishin futur në Kosovë për t’i dhënë fund masakrave dhe shovinizmit serb mbi qytetarët e pafajshëm të Kosovës. Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, i kishte paraprirë një lufte të ashpër mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe (ushtrisë, policisë dhe paramilitarëve) dhe pas shumë masakrave të kryera ndaj civilëve shqiptarë.

Hyrja e trupave të NATO-s ishte bërë pas marrëveshjes së Kumanovës ndërmjet zyrtarëve serbë dhe autoriteteve të NATO-s, të udhëhequra në atë kohë nga gjenerali britanik, Mike Jackson. Me këtë marrëveshje, Serbia ishte detyruar të tërheqë të gjitha forcat e saj policore dhe ushtarake nga Kosova./21Media