Caktohet masa e paraburgimit ndaj të pandehurve Zh. D. dhe V. B.

Caktohet masa e paraburgimit ndaj të pandehurve Zh. D. dhe V. B.

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 dy personave (Zh. D dhe V.B) të cilët dyshohet se kanë ushtruar presion ndaj tre personave të tjerë për vota.

“Të pandehurit dyshohen se me datë 26 dhe 27 shtator 2019, në vazhdimësi kanë ushtruar presion dhe kanë kanosur të dëmtuarit O. K., S. K. dhe J. K., që në zgjedhjet që pritet të mbahen të dielën të përkrahin dhe votojnë partinë Lista Serbe.”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Sipas Gjykatës, me këto veprime të pandehurit dyshohen të kenë kryer veprën penale ‘’cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve” vepër e sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, pasi që masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin normal të procedurës penale.”, thuhet tutje në njoftim.

Ndryshe, komuniteti serb në Kosovë, në mandatin e kaluar legjislativ ishte përfaqësuar nga 10 deputetë, prej të cilëve 9 ishin nga Lista Serbe, e cila që nga themelimi ka marrë mbështetjen e autoriteteve të Serbisë./21Media