Përveç drogës te i dyshuari u gjetën edhe pranga, sprej e fishekë

Përveç drogës te i dyshuari u gjetën edhe pranga, sprej e fishekë

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit për të dyshuarin F.S., nga Vushtrria, pasi të njëjtit iu janë gjetur dy kilogramë e 400 gramë të llojit marihuanë, një qese me farat e bimës së kanabisit, një palë pranga të ngjashme me të policisë, tetë copë fishekë, si dhe një sprej.

Prokuroria dyshon se personi me inicialet F.S ka kryer veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve dhe substancave psikotropike dhe analoge”, “Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike“, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjyqtari i procedurës paraprake i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, në seancën e mbajtur dje ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, dhe i ka caktuar të dyshuarit F.S., masën e paraburgimit prej një 1 muaji./21Media