Paralajmërimi i Haradinajt për Serbinë: Taksa 100% nuk do të jetë e vetmja

Haradinaj premtoi se Kosova do të ndërmarrë edhe masa të tjera ndaj Serbisë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj premtoi se Kosova do të ndërmarrë edhe masa të tjera ndaj Serbisë, si kundërpërgjigje ndaj qasjes së kësaj të fundit kundrejt rrugëtimit të Kosovës.

“Taksa 100% nuk do të jetë e vetmja, ky nuk është maksimumi që do të bëjmë”, u shpreh Haradinaj në televionin shqiptar A2.

Qeveria e Kosovës nga 21 nëntori i këtij viti ka miratuar vendimin për ngritjen e taksës në 100% ndaj produkteve të importuara nga Serbia dhe BeH. Që prej marrjes së vendimit për rritjen e tarifës, efekti i saj është se ka rënë vlera e importit për 20 milionë euro.

Haradinaj i pyetur nëse do të ketë një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë sipas shembullit franko-gjerman, Haradinaj tha: “Mes Kosovës dhe Serbisë do të ketë një kontratë gjithëpërfshirëse ku do të përcaktohen të gjitha çështjet. Por korrigjimi i kufijve nuk është pjesë e kësaj pakete. Serbia ka pasur gjithmonë ide për ndarjen e Kosovës, por në veri nuk do të ketë skenar ukrainas”.

Sa i përket formimit të Gjykatës Speciale, Haradinaj tha se ajo nuk i frikëson anëtarët e UÇK-së, madje do t’i bëjë ata edhe më të fortë. “Kjo do të jetë hera e pestë që trajtohet çështja e UÇK dhe rolit të luftëtarëve të lirisë”, u shpreh Kryeministri i Kosovës.

“As unë as vëllai im Dauti nuk i ndruhemi akuzave. Nëse ne do të ishim anëtarë të Interpol nuk do të lëshonim mandat-arresti për serbët”, ka thënë Haradinaj, për televizioni shqiptar A2.

Kosova muajin e kaluar dështoi të anëtarësohet në Interpol pasi nuk arriti t’i marrë votat e mjaftueshme për anëtarësim. Nga 135 vende pjesëmarrëse, 68  vende votuan për, 51 kundër dhe 16 abstenuan. E zhgënjyer nga mos pranimi në Interpol,  Qeveria e Kosovës e  fajëson Serbinë,  e cila bëri fushatë të egër kundër Kosovës. Edhe ambasada e SHBA-së vlerëson se dështimi i Kosovës për anëtarësim në Interpol është pasojë e fushatës dhe presionit që ka bërë Serbia tek vendet pjesëmarrëse.

Back to top button