Ia ka qëlluar për Ajaxin, por jo edhe për ish-ekipin e tij

Ia ka qëlluar për Ajaxin, por jo edhe për ish-ekipin e tij

Para se të luheshin mbrëmë ndeshjet e kthimit në çerekfinale të Championsit, Juventus-Ajax dhe Barcelona-Manchester United, Jose Mourinho ka bërë parashikimin e tij. I intervistuar nga “Russia Today” në prag të këtyre takimeve, tekniku portugez ka thënë se të gjithë duhet të ishin gati për të pritur befasi.

“Mendoj se Ajaxi është ekipi i vetëm që në këtë fazë nuk është i përfshirë fare nga presioni për të marrë një rezultat. Juventus dhe Barcelona fillojnë me një avantazh të lehtë për shkak të rezultatit të ndeshjes së parë. Por, nuk do të surprizohem nëse të dy këto skuadra eliminohen nga Manchester United dhe Ajax. Askush nuk e mendonte se Ajaxi kishte shanse për të fituar Champions League, por tani ata kanë ende shanse. Eksperiencë? Tani ata janë një ekip më i mirë se dy vjet më parë. Në ekip kanë 2-3 lojtarë me eksperiencë. Padyshim që Juventus është një sfidë e madhe për ta, por mund t’ia dalin”, ka deklaruar Mourinho.

Dhe Ajaxi ia ka dalë ndaj Juventusit, duke fituar 2-1 në Torino, duke u kualifikuar në gjysmëfinale. Edhe pse mund të quhet surprizë, Mourinho e ka gjetur kualifikimin e Ajaxit, por ka gabuar te parashikimi për Manchester United, pasi ish-skuadra e tij është eliminuar nga Barcelona, e cila ka fituar pastër, me rezultat 3-0.