Paris, identifikohet autori i atentatit të dështuar

Ai ishte i njohur për policinë franceze

Autori i atentatit të dështuar në “Champs-Elysees” të Parisit është identifikuar si Adam Dzaziri, një person i kaluar që në vitin 2015 në listën e individëve problematikë për sigurinë, nisur nga lidhjet e tij me lëvizjen radikale islamike

Sipas medieve, 31-vjeçari ishte nën ndikimin e ideologjisë salafiste, por nuk kishte dosje penale.

Momente frike u përjetuan në Paris, kur agresori përplasi qëllimisht makinën e tij me një furgon policie. Automjeti shpërtheu menjëherë dhe 31-vjeçari u nxor prej tij i lënduar rëndë. Ai ndërroi jetë më vonë në spital.

Brenda në makinë u gjetën bombola gazi, armë të ndryshme dhe municione. Për ministrin e Brendshëm francez, Gerard Collomb, incidenti tregoi se gjendja e jashtëzakonshme e Francës përballë sulmeve terroriste duhet të zgjatet.

Ajo vazhdon që nga viti 2015 dhe skadon muajin e ardhshëm, por Collomb ka ndërmend të paraqesë një projektligj për shtrirjen e kësaj mase deri në nëntor.

Back to top button