Në ngjarje u prezantuan edhe veshje nga çokollata

Në ngjarje u prezantuan edhe veshje nga çokollata

Dizajnet e veshjeve nga çokollata tashmë nuk janë të pazakonta për dashamirët e veshjeve në botë, pasi që ka vite që në skenën e modës shohim krijime të kësaj kategorie.

Një ngjarje e tillë u organizua në Paris, në kuadër të panairit të krijimeve nga çokollata, shkruan rtv121.tv

Me këtë revy mode, organizatorët njëherësh shënuan 25 vjetorin e ngjarjes e cila çdo vit tërheqë vëmendje të prodhuesve të çokollatës dhe disenjatorëve të shumtë, si nga vendi ashtu edhe bota.

Me këtë rast, në Paris, në revynë e modës u paraqitën mbretëresha të bukurisë, në mesin e tyre edhe Miss Franca, që të gjitha të veshura me dizajne nga çokollata.

Njëra prej pikave interesante është krijimi i fustanit tradicional nga çokollata, më i shijshmi në këtë ngjarje, të cilin e krijojnë prodhues çokollate në bashkëpunim me disenjatorë, e të cilin çdo herë e veshë një personalitet në hapje të këtij panairi.

Panairi i çokollatës në Paris apo siç njihet me emrin Salon du Chocolat do të mbahet deri më datën 3 nëntor 2019, dhe gjatë këtyre ditëve, veç veshjeve, do të prezantohen edhe ëmbëlsira të ndryshme nga çokollata.

Panairi Salon du Chocolat në Paris, është ngjarja më e madhe në botë dedikuar çokollatës. Ai veç Parisit organizohet edhe në disa vende të tjera si Tokio, Moskë, Pekin, Shangai, Seul, Cyrih, Londër e Bruksel./21Media