Parlamenti gjerman legalizon martesën midis gjinive të njëjta

Çifteve tani u garantohen të drejta të plota martesore

Një shumicë dërmuese e deputetëve gjermanë votuan për legalizimin e martesave  midis personave të gjinive të njëjta, vetëm disa ditë pasi kancelarja gjermane Angela Merkel hodhi poshtë kundërshtimin e saj ndaj votimit. Reforma u garanton çifteve të drejta të plota martesore dhe u lejon të adoptojnë fëmijë, shkruan rtv21.tv

Kundërshtarët politikë të Merkel ishin ndër mbështetësit më të fuqishëm të këtij projektligji. Por kancelarja e cila vetëm të hënën sinjalizoi mbështetjen e saj për një votim të lirë, votoi kundër tij.

“Për mua martesa nën Ligjin Bazik është ajo midis një burri dhe një gruaje dhe për këtë arsye nuk kam votuar në favor të këtij ligji sot. Është e vërtetë ajo çfarë u tha në debatin e sotëm. Ka qenë një debat i gjatë dhe intenziv, dhe për shumë kë një diskutim emocional, siç ishte edhe për mua personalisht. Prandaj shpresoj që votimi i sotëm të promovoj jo vetëm respektin midis opinioneve të ndryshme por edhe të sjellë më shumë unitet shoqëror dhe paqe në përgjithësi”, ka thënë Merkel.

Projektligji u mbështet nga 393 ligjvënës, 226 votuan kundër dhe katër abstenuan.

Në kodin ligjor gjerman tani do të shkruhet: “Martesa është lidhje për jetë midis dy njerëzve të gjinive të njëjta apo të ndryshme”.

Por si erdhi deri te ky votim i papritur? Gjatë fushatës zgjedhore të 2013-ës, Merkel kishte argumentuar kundër martesës midis gjinive të njëjta në bazë të “mirëqenies së fëmijëve”. Por në një intervistë të mbajtur të hënën, ajo tronditi mediat gjermane duke thënë se kishte vërejtur mbështetjen e partive tjera për martesën midis gjinive të njëjta dhe se do të lejoj një votim të lirë në një kohë të papërcaktuar në të ardhmen. Dhe votimi ndodhi sot.

Vendet që tashmë kanë legalizuar martesën midis gjinive të njëjta janë Norvegjia, Suedia, Danimarka, duke përjashtuar ishujt Faroe, Finlanda, Islanda, Holanda, Belgjika, Spanja, Portugalia, Luksemburgu, Franca, Britania dhe Republika e Irlandës./21Media

Back to top button