Carles Puigdemont, ish-presidenti i Katalonjës, aktualisht gjendet në Berlin

Carles Puigdemont, ish-presidenti i Katalonjës, aktualisht gjendet në Berlin

Parlamenti i Katalonisë miratoi një ligj, që i jep të drejtën anëtarëve të tij të votojnë për një udhëheqës në mungesë, një lëvizje që ka si qëllim të lejojë rizgjedhjen e ish-presidentit rajonal Carles Puigdemont, megjithëse ai jeton në ekzil.

Qeveria spanjolle tha se do ta apelojë ligjin në Gjykatën Kushtetuese. Megjithatë, Parlamenti katalanas, ku shumica e partive kërkojnë ndarjen nga Spanja, e votoi ligjin me 70 vota pro dhe 65 kundër.

Përpjekjet e Madridit për të ndaluar pavarësinë katalanase, që zhyti vendin në krizën më të rëndë prej dekadash, nuk ndalën dot marrjen e shumicës nga partitë separatiste.

Carles Puigdemont, ish-presidenti i Katalonjës, aktualisht gjendet në Berlin dhe po pret që gjykata gjermane të vendosë nëse ai duhet ekstraduar në Spanjë për t’u gjykuar për shpërdorim fondesh publike.

Ai iku në Belgjikë në tetor, pasi administrata e tij u shkarkua nga kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy, për shkak të shpalljes së jashtëligjshme të Pavarësisë.

Qeveria spanjolle e ka hedhur poshtë shpeshherë mundësinë e sundimit nga larg të Puigdemontit, si një ide absurde, duke premtuar se Madridi do të mbajë frerët e Katalonjës nëse ish-udhëheqësi përpiqet të qeverisë nga larg.

Koha po mbaron për ligjvënësit e krahinës rebele që të zgjedhin një kryetar të ri dhe të formojë qeverinë. Kjo duhet bërë para 22 majit, përndryshe do të organizohen zgjedhje të reja. Që prej zgjedhjeve të dhjetorit, Parlamenti katalanas ka paraqitur 4 kandidatë për president rajonal, por çdo përpjekje është ndaluar nga Madridi dhe gjykata, sepse kandidatët ose janë në burg, ose jashtë vendit.