Përfundon debati në Australi

Përfundon debati në Australi

Një shumicë dërrmuese deputetësh në parlamentin e Australisë votuan për ndryshimin e ligjit të martesës dhe rrjedhimisht lejimin e martesave gay, 8 ditë pas një rezultati po kaq vendimtar në Senat. Vota “pro” i hapi rrugën festimeve në Parlament dhe solli brohoritje, duartrokitje, madje edhe këngë.

Rezultati i votimit i jep fund një debati të ashpër që vazhdonte për këtë çështje prej 10 vitesh.
Kryeministri australian, Malcom Turnbull tha se kjo ishte një ditë e madhe për dashurinë, barazinë dhe respektin.

Ligji kaloi në Parlament pa pengesa dhe pa amendime, pasi u mbështet nga australianët në një referendum vullnetar popullor. Tashmë pritet nënshkrimi i guvernatorit të përgjithshëm të Australisë, që ligji të hyjë në fuqi, por ky është një formalitet.

Pavarësisht këmbënguljes së konservatorëve, ligji përmban vetëm një përjashtim. Zyrtarë të licencuar për të formalizuar martesën mund të refuzojnë ta bëjnë këtë në rastin e martesave gay, për arsye fetare, por kjo nuk konsiderohet si një pengesë./21Media