Parlamenti voton planin e Johnsonit për Brexit

Kryeminstri Johnson ka premtuar dalje nga BE-ja deri më 31 janar

Votimi i planit për Brexit ishte testi i parë i Boris Johnsonit, pasi partia e tij i fitoi zgjedhjet dhe siguroi shumicë historike në Parlamentin Britanik.

Për kryeministrin, i cili po premton përmbyllje të Brexitit deri më 31 janar, ky është hapi i parë i madh drejt përmbushjes së këtij premtimi.

Ligjvënësit britanikë e mbështetën planin e kryeministrit Boris Johnson për daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian, më 31 janar, duke votuar me 358 vota për dhe 234 kundër Marrëveshjes së Tërheqjes.

Dokumenti do të kalojë tani për miratim në Dhomën e Lordëve. Johsnon tha se marrëveshja i mundëson Britanisë “të ecë përpara”.

Udhëheqësi i Laburistëve opozitarë, Jeremy Corbyn, u bëri thirrje ligjvënësve që të votojnë kundër marrëveshjes, duke thënë se ka “mënyra më të mira dhe më të drejta” për të lënë BE-në.
Referendumi për dalje nga blloku evropian, apo Brexit-in, është mbajtur në vitin 2016.

Por, realizimi i procesit është shtyrë disa herë për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme politike mbi kushtet e daljes së Britanisë nga BE-ja. Problemet kryesore dhe çështjet më të diskutuara vazhdojnë të mbesin kufiri i Britanisë me Irlandën dhe vendosja e mundshme e regjimit doganor midis këtyre dy vendeve si dhe prania e Britanisë në tregun e përbashkët evropian.

Pas këtij vendimi të Parlamentit Britanik, reagimi i Bashkimit Evropian ka qenë i menjëhershëm. Një zëdhënës i Komisionit Evropian citohet nga Reuters të ketë thënë se Komisioni ka marrë informatën për votimin në Parlamentin Britanik, do të përcjellë për së afërmi procesin e ratifikimit dhe ka gatishmëri që të ndërmerren hapat zyrtarë që të përmbyllet marrëveshja./21Media

Back to top button