Basha: Rama po rikthen projektin e vjetër të tij për Teatrin

Basha: Rama po rikthen projektin e vjetër të tij për Teatrin

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar një takim me artistët, moment që e ka shfrytëzuar për të ripërsëritur qasjen e opozitës kundër qëndrimit të qeverisë në raport me prishjen e Teatrit Kombëtar dhe ligjin e ri për artin.

Sipas Bashës, dy dekada më parë kur Edi Rama u vendos në krye të Ministrisë së Kulturës ka synuar prishjen e kësaj ndërtese dhe tashmë thjesht po rikthen projektin e vjetër të tij.

“Dua ta bëj të qartë qëndrimin sot për çdo artist shqiptar, për çdo artdashës shqiptar: Partia Demokratike është kundër prishjes së Teatrit Kombëtar, Partia Demokratike do të qëndrojë fuqishëm në krah të artistëve dhe iu bën thirrje qytetarëve, artdashësve t’i bashkohen protestës së tyre legjitime”, tha ai.

Basha ka deklaruar se opozita do të hartojë një alternativë konkrete për artin dhe kulturën, të cilën do ta depozitojë më pas në parlament.

“Dhe padyshim nuk do të jetë largët dita kur shqiptarët do ta aprovojnë  dhe miratojnë këtë projekt kombëtar për artin dhe kulturën në thelb të së cilës do të jetë jo thjesht nderimi, respekti, vënia në vend dinjiteti i artistëve të cilët sot diskriminohen dhe goditen financiarisht, përçmohen, përbuzen, përçahen nga një kryeministër që vinte nga bota e artit, s’mund të them më që vjen nga bota e artit, por mesa duket është pikërisht kompleksi i artistit të dështuar që e çon drejt urrejtjes ndaj artit. Dhe që po zhvillon një projekt leninist të uljes së kokës së artistëve, elitës së kombit për ta asgjësuar një tjetër vatër të mendimit të pavarur”, theksoi kreu i PD-së.

Në qendër të aksionit opozita ka qenë mbështetja e çdo grupi apo qytetari që ka pakënaqësi ndaj qeverisë, duke nisur nga qytetarët e Kukësit të cilët preken nga taksa e Rrugës së Kombit, tek biznesi i vogël i cili preket nga TVSH e deri tek artistët. Në këtë frymë një ditë më parë kreu i PD-së zhvilloi një takim edhe me familjarët e protestuesve të Kukësit që ndodhen ende në burg.