Partitë bien dakord: Reforma zgjedhore të përmbyllet brenda 15 marsit

Përfaqësuesit e vlerësojnë konsensusin një hap të rëndësishëm

Reforma zgjedhore duhet të përmbyllet jo më vonë se data 15 mars e këtij viti. Ky është konkluzioni i arritur në takimin për gati 90 minuta që patën sot përfaqësuesit e mazhorancës dhe opozitës parlamentare dhe politike.

PS përfaqësohej nga Damian Gjiknuri, PD me Oerd Bylykbashin, opozita parlamentare me Rudina Hajdarin dhe LSI me Petrit Vasilin.

Në tryezë gjithashtu është rënë dakord për krijimin e një Këshilli politik me përfaqësues të opozitës, drejtuesve të komisionit të reformës dhe përfaqësues të grupeve parlamentare në Kuvend.

Ky këshill do të mblidhet brenda këtij muaji për të autorizuar platformën e punës së procesit për reformën zgjedhore.

Dokumenti i dalë nga tryeza ka marrë firmat e Gjiknurit, Bylykbashit dhe Vasilit. Rudina Hajdari, edhe pse është dakord në parim me konkluzionet e arritura, nuk ka firmosur.

Në mbyllje të takimit, Bylykbashi dhe Vasili e vlerësuan konsensusin një hap të rëndësishëm.

Ky dokument garanton atë që kemi kërkuar prej kohësh, reforma zgjedhore të bëhet me konsensus, të jetë gjithë përfshirëse. Do të kemi dhe asistencën ndërkombëtare”, tha Bylykbashi.

Është hedhur një hap në raport me një moment të rëndësishëm që ka të bëjë me plotësimin e një kushti kyç të Bundestagut lidhur me hapjen e negociatave për anëtarësim.Me përgjegjësinë e duhur dhe luajalitetin nga pala tjetër do të jetë mundësi për të ecur përpara dhe çliruar vendin nga damka e zgjedhjeve të manipuluara dhe të blera”, tha Vasili.

Edhe përfaqësuesi socialist, Damian Gjiknuri, e vlerësoi vullnetin e mirë për gjetjen e një forme dialogu me opozitën.

Ai tha se dakordësia mes palëve është për adresimin e rekomandimeve të ODIHR dhe jo ndryshimin e sistemit.

Rudina Hajdari në fjalën e saj këmbënguli se takimi i sotëm kofirmoi se vendimi i tyre për të mos hequr dorë nga mandatet ishte i duhuri.

“Sot PD e LSI pranuan që rruga që do i jepte zgjidhje kësaj krize politikes është duke ardhur me ide e plane dhe jo molotovi e protesta. Sot diskutuam për këto plane rreth një kuadri bashkëpunimi, kjo patjetër kërkon kohë dhe konsensus. Vullneti i opozitës brenda parlamentit do të vazhdojë sa i takon ndryshimit të sistemit. Besojmë fort që shqiptarët të kenë një kod zgjedhor dhe sistem zgjedhor që u jep të drejtën për të pasur një përfaqësim dinjitoz brenda parlamentit. Ne zgjodhëm rrugën e duhur atë të shtetit dhe të institiucioneve”, tha Hajdari./oranews

Back to top button