Partitë politike nuk i kanë paguar gjobat e fushatës zgjedhore

Subjektet politike të pakicave i paguajnë gjobat ndaj PZAP, ato shqiptare jo

Subjektet politike që u gjobitën gjatë fushatës zgjedhore në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit nuk po kanë sa duhet interes për t’i shlyer borxhet ndaj Palelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Për këtë shkak paneli u ka dhënë afat deri më 31 janar që t’i paguajnë gjobat, në të kundërtën do i gjobisë përsëri.

Deri tani subjektet politike që u takojnë pakicave i kanë shlyer borxhet e tyre.

Lista Serbe tërësisht ka paguar gjobën e saj që kap shifrën 36 mijë euro, si dhe Partia Liberale Egjiptiane dhe ajo e Goranëve.

Iniciativë për të paguar gjobën ndaj panelit ka ndërmarrë edhe Partia Demokratike e Kosovës, e cila është gjobitur më së shumti nga PZAP, dhe deri tani ka  paguar vetëm 45 mijë euro prej mbi 100 mijë euro, gjobë sa i është shqiptuar.

Kështu ka bërë të ditur për KP, kryesuesi i sekretariatit në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Mulë Desku, i cili tha se prej mbi 360 mijë euro sa janë shqiptuar gjoba, aktualisht rreth 85 mijë euro janë paguar.

Të papaguara kanë mbetur edhe 275 mijë euro.

“Deri më tani disa parti politike mbi bazën vullnetare ndoshta jo mbi bazën e përcaktimi sa e përcakton vendimi rreth pagesës së gjobave, por kanë filluar t’i paguajnë gjobat. Prej këtyre Partia Demokratike e Kosovës ka filluar t’i paguaj gjobat, ka paguar 45 mijë euro ka ende pa 55 mijë e 100 euro. Lista Serbe i ka paguar në tërësi gjobat edhe tri subjekte të vogla politike i kanë paguar gjobat është IRDK Partia Liberale Egjiptiane,  edhe Partia e Goranëve (PG)…Pjesa tjetër e subjekteve politike nuk i kanë paguar fare gjobat. Prej 365 mijë euro sa PZAP ka shqiptuar gjoba ndaj subjekteve politike, deri më tani janë paguar 84 mijë e 900 apo afër 85 mijë euro, ndërsa kanë mbetur të papaguara edhe 275 mijë e 100 euro”, tha ai.

Desku tha se Lidhja Demokratike e Kosovës, koalicioni AAK-PSK dhe Lëvizja Vetëvendosje ende nuk i kanë shlyer borxhet ndaj PZAP-së.

“Lidhja Demokratike e Kosovës, dhe koalicioni AAK-PSD ende nuk kanë filluar t’i paguajnë gjobat, kurse disa subjekte tjera kanë gjoba më pak. Për shembull është Lëvizja Vetëvendosje ka diku 14 mijë euro…Edhe Lëvizja Vetëvendosje  ende nuk i ka paguar gjobat”, theksoi Desku.

Kryesuesi i PZAP-së i ka paralajmëruar subjektet politike se kanë afat deri më 31 janar që t’i paguajnë gjobat në të kundërtën paneli obligohet të shqiptojë gjoba, ose t’i dërgojë tek përmbaruesi privat. “Javën që kaloi ne i kemi paralajmëruar subjektet politike që t’i paguajnë gjobat të cilat Paneli i ka dënuar për zgjedhjet e kaluara, Paneli u ka dhënë  afat 15 ditë nga data 17 janari deri më 31 janar u ka dhënë një afat prej 15 ditësh që t’i paguajnë gjobat në të kundërtën Paneli në bazë të dispozitës ka të drejtë dhe obligohet që tu shqiptoj dënime shtesë, mirëpo edhe në të  kundërtën edhe nëse nuk i shqipton këto gjoba Paneli do t’i dërgoi në procedurë  të përmbarimit privat për pagesën e këtyre gjobave tek zyra e përmbaruesit privat”, deklaroi kryesuesi i sekretariatit të PZAP-së.

Sipas tij, të gjitha këto mjete do të shkojnë në kuletën e shtetit, pasi që Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa bënë vetëm inkasimin e këtyre mjeteve.

Nga zgjedhjet lokale të vitit 2017, subjekti politik Alternativa ende e ka një pjesë të gjobës të papaguar, si dhe KTAP, ende nuk e ka paguar gjobën prej 2200 euro.

Back to top button