Pjesëmarrja e grave në listat e partive politike është vetëm 32%

Pjesëmarrja e grave në listat e partive politike është vetëm 32%

Partitë politike nuk kanë respektuar Ligjin për Barazi Gjinore për përfaqësim të barabartë 50 përqind me rastin e zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit. Të gjitha subjektet politike që garojnë në këto zgjedhje kanë përmbushur vetëm kuotën prej 30 përqind të përfaqësimit të grave në listat për kandidate për deputete, por jo duke respektuar Ligjin për Barazi Gjinore i cili kërkon përfaqësim 50 përqind për secilën gjini.

Për mos respektim të këtij ligji, ditë më parë Institucioni i Avokatit të Popullit e ka paditur Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për mospërfaqësim të barabartë të grave në listat zgjedhore. Madje Avokati i Popullit i ka parashtruar Gjykatës Themelore në Prishtinë, padi me kërkesë për masë të përkohshme përkitazi me shkeljen nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të së drejtës për trajtim të barabartë të grave në të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes.

Ligji për Barazi Gjinore, saktësisht neni 6 pika 8 saktëson se duhet të ketë një përfaqësim 50 përqind për secilën gjini.

“Përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore dhe institucionet e tjera publike arrihet kur sigurohet përfaqësim minimal prej pesëdhjetë përqind (50%) për secilën gjini, përfshirë edhe organet e tyre drejtuese dhe vendimmarrëse”, thuhet në Ligjin për Barazi Gjinore.

Partitë politike nuk kanë respektuar këtë ligj dhe në listat e tyre nuk kanë më shumë se 34 gra të përfshira. Në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilës i prinë kandidatja për kryeministre Vjosa Osmani, janë vetëm 33 gra. Edhe Partia Demokratike e Kosovës në listën e saj për kandidatët për deputet ka vetëm 33 gra, e aq ka edhe koalicioni në mes Nismës-AKR-PD. Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje dhe koalicioni AAK-PSD në listat e tyre kanë nga 34 gra.

Përfaqësim të barabartë në listat zgjedhore pati kërkuar edhe Agjencia për Barazi Gjinore e Republikës së Kosovës, ku përmes një komunikate për media u kishte bërë thirrje partive politike që të respektojnë Ligjin për Barazi Gjinore.

“Barazia gjinore, e reflektuar përmes pjesëmarrjes së barabartë 50% për secilën gjini është vlerë themelore për ndërtimin e një shoqërie demokratike. Parimi i 50% duhet të përshkojë listat zgjedhore për përfaqësim të barabartë duke respektuar masën afirmative, programet e partive politike me propozime konkrete për pjesëmarrje, përfaqësim dhe zhvillim të barabartë dhe cilësor mes gjinive, fuqizimin socio-ekonomik të grave, dhe nxitjen e pjesëmarrjes në votime të grave dhe burrave në Kosovë”, thuhet në komunikatën për media.

E pakënaqur me përfaqësimin e grave në listat për deputetëve, thotë të jetë drejtoresha ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli, e cila thotë se partitë politike nuk kanë pasur vullnet për të respektuar Ligjin për Barazi Gjinore.

“Është respektuar ligji i zgjedhjeve, por jo ligji për barazi gjinore, jo Kushtetuta e Kosovës ku buron ligji për barazi gjinore ku thërret të gjitha institucionet, organizatat për barazi dhe ligji për barazi gjinore i thërret të gjithë që të jenë minimumi të përfshirë 50 përqind. Nuk e kemi pa një vullnet politik dhe nuk e kemi pa një respektim të një ligji. Në këto zgjedhje flasin shumë se si do të respektojnë ligjet, por realisht një ligj i cili është organik, i cili rregullon të drejtat e grave, rregullon të drejtat gjinore nuk është respektuar në start”, thotë ajo.

Një thirrje për përfaqësim të barabartë të grave në listat për deputet e kishte bërë edhe organizata Demokracia në Veprim. Blerta Aliu nga kjo organizatë thotë se pjesëmarrja e grave në listat e partive politike është vetëm 32 përqind.

“Ne si Demokraci në Veprim para procesit të certifikimit të listave kemi dal me një reagim ku kemi kërkuar që të ketë përfaqësim të barabartë të të dyja gjinive në listat zgjedhore. Pra, kemi rekomanduar modelin 50 50, që njëherësh nënkupton edhe respektim të ligjit për barazi gjinore i cili parasheh një gjë të tillë. Megjithatë pas certifikimit dhe publikimit nga ana e KQZ të listave ne kemi pa që pjesëmarrja e grave në këto lista është vetëm 32 përqind. Pra, të gjitha partitë e kanë respektuar rregullativën zgjedhore dhe jo në këtë rast ligjin për barazi gjinore dhe natyrisht do të ishte mirë që të ketë një harmonizim të këtyre ligjeve dhe të avancojë pjesëmarrja e grave në lista”, thotë ajo.

Që të ketë një përfaqësim të barabartë të grave në listat për kandidatët për deputet, sipas analistit politik Rasim Alija duhet një demokratizim të vet subjekteve politike që ta kuptojnë se gratë duhet të përfaqësohen pasi edhe ato sjellin vota.

“Shohim që këto zgjedhje ose këto lista kësaj radhe subjektet politike i kanë kushtuar më shumë vëmendje, ka subjekt politik i cili e ka tejkaluar këtë kuotën ose normën prej 30 përqind në përfaqësimin me gra në listat e tyre. Mirëpo mbetet edhe shumë punë tutje që subjektet politike të demokratizohen dhe rrjedhimisht të ketë vend edhe për gratë në listat e tyre zgjedhore. Ideale do të ishte që të respektohej ligji për barazi gjinore ku kërkohet që përfaqësimi i grave të jetë 50 me 50. Jemi larg atij procesi, mirëpo ky është proces që i duhet kohë, mbi të gjitha duhet demokratizim të vet subjekteve politike që ta kuptojnë që gratë edhe duhet të përfaqësohen, mirëpo edhe sjellin vota”, potencon ai.

Por ka të atillë që mendojnë se kuotat duhet të largohen për përfaqësim të grave në listat zgjedhore. Analisti politik Rrahman Paçarizi për KosovaPress, thotë se është kundër këtyre kuotave, pasi sipas tij kuota gjinore është ofendim për vet gratë.

“Unë personalisht jam kundër kuotave, më mirë të jenë në një listë tri gra cilësore, sesa lista të mbushet me emra vetëm se ato janë femra. Unë mendoj që kuota gjinore është një ofendim për gratë, gratë duhet të trajtohen si të barabarta, duhet të garojnë si të barabarta, sepse nuk kanë asgjë më pak sesa meshkujt, e sigurisht asgjë më shumë, janë krejtësisht të barabarta dhe duhet të trajtohen si të tilla. Futja e tyre nëpër kallëpet e kuotave gjinore të përcaktuara me ligj e me rregullore të ndryshme tregon që jeni ende një shoqëri primitive, një shoqëri ende e pa emancipuar sa duhet që përpiqemi të bëjmë improvizime për të bërë një paraqitje gjoja të grave nëpër lista zgjedhore. Ndërkohë që ne kemi pa ka pasur gra, po edhe burra në mesin e deputetëve të cilët asnjëherë nuk e kanë qel gojën në Kuvend apo ndonjëherë kanë lexuar letra të shkruara nga dikush tjetër. Do të thotë, unë jam kundër kuotave gjinore, sepse mendoj që gratë janë vërtetë të barabarta dhe duhet të garojnë si të tilla”, shprehet ai.

Përveç kritikave që të lartpërmendurit adresojnë ndaj partive politike për mos përfaqësim të grave në listat për kandidatët për deputet, ata vlerësojnë se edhe në tubimet elektorale që janë duke u mbajtur grave nuk po u jepet hapësira e duhur.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli, thotë se në këto zgjedhje po shihen të ndara gratë na burrat.

“Çka po shohim thjeshtë jo diçka të dëshirueshme është se gratë kryesisht po i shohim të ndara me burrat. Gratë nëpër sallone, burrat nëpër oda të familjarëve, të dëshmorëve, të shtëpive të mëdha mbiemrave të mëdhenj në Kosovë. Ndërsa, gratë po i shohim në ato sallonet që janë tipike kosovare qysh promovohet patriarkaliteti, mënyra se si shërbehet, krejt po e shohim është e dhimbshme, është prapakthim. Kemi një fushatë e cila i tregon në mënyrë të veçantë gruas se ku e ka vendin dhe kjo po bëhet edhe nga gratë kandidate për deputete që po shkojnë në këto vende”, thotë ajo.

Edhe Blerta Aliu nga Demokracia në Veprim, thotë se do të ishte mirë që gratë të kenë më tepër hapësirë në tubime për të paraqitur programet e tyre.

“Nëse i shohim të dhënat e vitit 2017 të zgjedhjeve të përgjithshme, në të gjitha tubimet që ne i kemi monitoruar si Demokraci në Veprim vetëm në 18 përqindshin e rasteve kemi pasur gra folëse nëpër tubime elektorale. Kjo tregon një pjesëmarrje tepër të ulët të grave në tubime dhe një pamundësi e tillë e grave për ta shprehur programin e tyre, për të bërë të ditur politikat e tyre para audiencës po i penalizon mandej edhe në marrje të votës. Andaj do të ishte mirë që të paktën t’iu jepet hapësirë në tubime dhe në të gjitha aktivitetet që i zhvillojnë subjektet politike”, thotë ajo.

Kurse, analisti politik Rrahman Pacarizi thotë se partitë politike bëjë shumë gabim që nuk i paraqesin programet e tyre përmes grave që kanë në listat e tyre, e që sipas tij të gjitha partitë politike kanë në përbërje gra shumë të zonjat.

“Çështja e pjesëmarrjes së tyre ose dhënia e hapësirës qoftë nëpër tubime publike, qoftë nëpër media është problemi kryesor i partive politike, sepse partitë politike ende mbizotëron mendësia se burrat janë ata që duhet të paraqesin programet, burrat janë ata të mençurit ndërsa gratë janë numra. Ndërkohë që nëse marrim dhe i shohim paraqitjet publike për shembull të Vjosa Osmanit, të Mimoza Kusarit, Albulena Haxhiut, Vlora Dumoshit, Lirije Kajtazit, Blerta Deliut, Ganimet Musliut …, atëherë shohim se këto janë gra mjaftë kualitative të cilat jo vetëm të mund të shtyhen me burrat, por i mbizotërojnë në të shumtën e situatave. Prandaj, partitë politike bëjnë shumë gabim që nuk i paraqesin platformat, programet e tyre përmes këtyre grave, të cilat janë dëshmuar si të shkathëta dhe absolutisht nuk janë numra, nëse janë numra në parti politike janë numra dyfish”, thotë ai.

Zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 6 tetor.