Pas 17 shkurtit Aeroporti i Prishtinës në bllokadë totale

Paralajmërojnë grevë 24 orëshe

Shoqata Sindikale e Kontrollerëve të Trafikut Ajror, sot mbajti grevë nga ora 08:00 deri në orën 12:00 për shkak të pakënaqësive të përfshirjes së këtij institucioni në ligjin për pagat.

Gjatë këtij intervali kohorë nuk janë realizuar fluturimet nga Prishtina.

Kryetari i sindikatës së kontrollorëve ajror, Artan Hasani në një lidhje direkte në emisionin “Prite të gjelbrën” për RTV21, tha se kjo grevë do të vazhdojë edhe të premtën dhe të shtunën, duke i shtuar orët e grevës. Ndërsa, të dielën më 17 shkurt do të pezullohet greva për nder të 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, por Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” një ditë pas këtij përvjetori do të futet në grevë 24-orëshe, shkruan rtv21.tv.

Hasani për RTV21 tha se kanë pasur takime me ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekajn, por që nuk është arritur ndonjë marrëveshje.

MIT sot ka bërë të ditur se kjo grevë dëmton operimet në aeroport dhe është kërkuar të pezullohet kjo grevë.

Kryetari i kësaj sindikate tregoi se ata iu ofrojnë shërbime kompanive dhe udhëtarët duhet të kontaktojnë me kompanitë ajrore dhe kompanitë e organizimit të udhëtimeve, në mënyrë që të iu tregojnë se prej ku mund të fluturojnë qoftë nga Shkupi apo Tirana.

Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror ka kritika të shumta ndaj projektligjit të ri të pagave. Ata konsiderojnë se me anë të kësaj po cenohet autonomia e tyre, pasi po preken pagat e një personeli profesional dhe po çrregullohet puna e tyre.

Kërkesa e vetme e tyre ka qenë dhe është që të respektohet autonomia në mbledhjen dhe shfrytëzimit të hyrave siç parashihet edhe në marrëveshjen e Hapësirës së Përbashkët Evropiane të Aviacionit-HPEA./21Media

Back to top button