Investohen rreth 350 mijë euro në pajisje

Investohen rreth 350 mijë euro në pajisje

Në Klinikën e Oftalmologjisë sot janë përuruar pajisjet e reja që janë blerë në vlerë prej 350 mijë euro, investim ky do të ndikojë në rritjen e kapaciteteve të kësaj klinike për diagnostikimin dhe operimin e sëmundjeve të syve në Prishtinë.

Kjo klinikë për herë të parë është furnizuar me mikroskop operativ për operimin e segmentit të pasmë të syrit, Cross-Linking për trajtimin e patologjive të koernesë së syrit, Optical Coherence Tomography për diagnostikimin e sëmundjeve të retinës dhe disa pajisje të tjera.

Me rastin e përurimit të këtyre pajisjeve, ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili, deklaroi se investime të tilla po bëhen me të vetmin qëllim që të ofrohen kushte më të mira për pacientët kosovar.

Qëllimi jonë i këtyre investimeve është që ta ruajmë shëndetin e qytetarëve, por ta ruajë edhe xhepin e qytetarëve, ta ruajë edhe paranë e taksapaguesve tanë të mos shkojë në klinika të tjera të cilat më pastaj përfitojnë nga mungesa e këtyre shërbimeve. Sot mora një zotim nga drejtori i klinikës se do të bëjnë çmos që t’i fusin në funksion sa më shpejt dhe të japin shërbime sa më shpejt nga to”, u shpreh ai.

Investimi në pajisje, sipas drejtori të ShSKUK-së Basri Sejdiu, do të ndikojë që pacientët të mos kërkojnë më shërim jashtë vendit, por të marrin shërbime në këtë klinikë.

Nga aspekti bazik kemi filluar që të bëjmë plane edhe nga aspekti i infrastrukturës. Ngritja në nivel e pajisjeve mjekësore që veç janë blerë shumë pajisje mjekësore të cilat kanë munguar prej se ekziston Klinika e Oftalmologjisë, është fjala për biomikroskopi dhe kjo na mundëson që të fillohet edhe me metoda të reja të operacionit siç është kirurgjia të cilën nuk e kemi bërë më herët. Normal në kuadër të edukimit dhe të stafit dhe kjo mandej do të ndikojë që pacientët të mos dërgohen jashtë për trajtim, por të kenë sa më afër dhe sa më lirë të bëhet trajtimi në Kosovë”, tha Sejdiu.

Drejtori i Klinikës së Oftalmologjisë, Adem Miftari, është shprehur i kënaqur me furnizimin me pajisje të reja, pasi sipas tij në këtë klinikë nuk është investuar prej vitit 1983 kur edhe është themeluar.

Miftari tha se nëse kanë përkrahje mund ta bëjnë Klinikën e Oftalmologjisë qendër referente regjionale për shërbime për sëmundjet e syrit.

Ai u shpreh se para dy javësh kur është mbajtur Java e Shëndetësisë turko-kosovare dhe në atë javë ai tha se janë bërë 14 operacione, ku 70 përqind janë bërë nga mjekët kosovar.

Sipas parashikimeve të mija dhe komunikimet që i kemi me stafin tonë, si dhe gjendjen tonë momentale profesionale lista e pacientëve që janë trajtuar jashtë vendit mbi 50 përqind do të zvogëlohet. Mbi 50 përqind e sëmundjeve që nuk janë trajtuar këtu do të trajtohen në klinikën tonë. Normal me politikat tona zhvillimore edhe furnizimi me pajisje të reja edhe shkollimi i stafit, unë besoj që për një kohë shumë të shkurtër, ndoshta në mandat 1 vjeçar, 2 vjeçar ne do të bëhemi qendër që do të trajtojmë jo vetëm tanët po edhe të tjerët do të vijnë tek ne dhe do të trajtohen”, potencoi ai./21Media