Pas deklaratave për Kurtin, arrestohet Haxhi Hoti

Ai është dërguar në mbajtje për 48 orë

Anëtari i Nismës Social Demokrate, Haxhi Hoti është arrestuar pas deklaratave të tij të mbrëmshme ndaj lideri të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Arrestimin e tij për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë Daut Hoxha. Ai ka thënë se Policia e Kosovës ka trajtuar informacionin e publikuar ne rrjete sociale dhe sipas detyrës zyrtare ka ndërmarr veprimet konform autorizimeve ligjore duke trajtuar rastin si ‘shtytje në vrasje’.

“Të gjitha veprimet janë ndërmarr në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, personi i dyshuar është kërkuar dhe nuk është gjet në shtëpi, të njëjtit i është lëne ftesa për paraqitje të menjëhershme në polici dhe janë njoftuar të gjitha njësitet policore se kudo që takohet i njëjti të arrestohet. I dyshuari pas paraqitjes në polici me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë për procedura të mëtejme.”, ka deklaruar Hoxha.

Kandidati për deputet nga radhët e Nismës, Haxhi Hoti mbrëmë ka deklaruar se “Albin Kurri i ka 2 rrugë: ose ta lëshoj Kosovën ose (mund) të vritet”. Hoti më vonë ka thënë se ky ishte një gabim teknik.

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje pas kësaj deklarate ka dërguar një kallëzim penal ndaj Haxhi Hotit./21Media

Back to top button