Pacolli thotë se Kosova është e gatshme për dialog, por ka kushtet e qarta

Pacolli thotë se Kosova është e gatshme për dialog, por ka kushtet e qarta

Ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe ajo e Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar i kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të rinisin bisedimet dhe kanë kërkuar që të dy palët të shmangin veprime që do të pengonin një marrëveshje përfundimtare.

Lidhur me këtë ka reaguar, Ministri i Jashtëm në detyrë, Behgjet Pacolli.

Ai ka thënë se Kosova ka qenë gjithmonë e gatshme për dialog, mirëpo sipas tij Serbia është ajo e cila ka penguar procesin.

“Politika e jashtme e Kosovës ka qenë gjithmonë e koordinuar dhe në përputhje me pozicionin e partnerëve tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara, Gjermaninë, Francen, Mbretërinë e Bashkuar dhe Italinë që nga fillimi i viteve ’90. Shtetësia jonë është e bazuar në orientimin tonë perëndimor dhe ne mirëpresim angazhimin e treguar nga të gjitha vendet e Quint së bashku për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Kosova gjithmonë ka qëndruar e përkushtuar të vazhdojë dialogun dhe ne kemi qenë të gatshëm të rifillojmë bisedimet, por ishte Serbia që la karrigen e saj të zbrazët dhe provokoi incidente dhe agresion kundër Kosovës vazhdimisht.”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Ai tutje komentoi edhe deklaratën e Marko Gjuriq,  i cili sot në një konferencë për media tha se Serbia do të vazhdojë të ndjekë interesat e veta.

Deklarata e Marko Gjuriqit sot dëshmon edhe një herë mungesën e vullnetit nga Serbia për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Kosova ka luftuar për 2 vjet një betejë diplomatike të paparë me Beogradin që diplomacia e ndyrë Serbe ka synuar të minojë shtetësinë e Kosovës ndërkombëtarisht. Tarifa ka qenë instrumenti sovran i Kosovës të reagojë ndaj këtij agresioni të provokuar nga Beogradi, dhe sot Serbia ende nuk tregon vullnet për t’i dhënë fund asaj. Ne jemi gati si gjithmonë për dialog, por kushtet janë të qarta si dy shtete të pavarura dhe sovrane që synojnë njohje reciproke dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike”, ka shkruar Pacolli ./21Media