Pas deklaratës së Veliut, reagoi Osmani

”VV-ja dhe LDK-ja bashkë për orientim euro-atlantik”

Pas deklaratës së nënkryetarit të LDK-së Agim Veliut, i cili ka kritikuar Vetëvendosjen në qasjen e saj për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje, ka reaguar kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani.

Osmani ka thënë se në kohën kur u tentua shfuqizimi i Gjykatës Speciale, ishte vetëm Vetëvendosja që doli bashkë me LDK-në për të mbrojtur shtetësinë, miqësitë dhe orientimin properëndimor të vendit.

“Miqësitë që LDK-ja ndërtoi me botën demokratike janë ato që përcaktuan orientimin strategjik te vendit tonë: orientim pro-perendimor e euro-atlantik. Para rreth dy vitesh, partitë në pushtet, ato të koalicionit PAN, filluan nismën për shfuqizimin e gjykatës speciale, e cila nga partnerët tanë u quajtë ‘thike pas shpine’, ‘rreziku më i madh në Kosovën e pasluftës’, ‘shkatërrim i miqësive’, e ‘shkelje e orientimi euro-atlantik’. Meqë miqtë tanë ndërkombetarë dhe kërkesat e tyre injoroheshin nga Presidenti i vendit dhe partitë në pushtet, që të gjithë u drejtuan tek zyret e LDK-së. Sërish, ishte pikërisht LDK-ja, vendi ku do të mbrohej shtetësia, miqësitë dhe orientimi pro-perendimor i vendit. Por këtë nuk mund ta bënim vetë. Ishte vetëm një parti që i doli në krah përpjekjeve të LDK-së atë ditë: Lëvizja Vetëvendosje. ‘‘, ka shkruar Osmani në Facebook.

Ajo gjithashtu ka theksuar se në po atë mbrëmje ishte ndërtuar koalicioni i shpresës.

”Atë ditë, është rikonfirmuar orientimi pro-perendimor dhe euro-atlantik. Atë nuk e bëri LDK-ja vet, e as LVV-ja vetë…por e bënë LDK dhe LVV bashkë, me bekimin e miqve tanë ndërkombetarë,” ka shkruar Osmani.

Lëvizja Vetëvendosje dje i ka dërguar ofertë të re LDK-së për arritjen e marrëveshjes për koalicion qeverisës./21Media

Back to top button