Pas deklaratës së Vuçiqit për masakrën e Reçakut, reagon Kurti

​Kurti: Gjenocidi, varret masive dhe masakrat janë e vërteta e Serbisë

Kryetari i LVV-së dhe kandidati i kësaj partie për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti reagoi ndaj deklaratave të Vuçiqit për mohim të masakrës së Reçakut. Kurti tha se Vuçiq nuk ka pranuar ta quante Srebrenicën një gjenocid, tani ai mohon edhe masakrën e Reçakut.

“Ai nuk pranoi ta quante Srebrenicën një gjenocid, tani ai mohon masakrën e Reçakut. Ai dëshiron të kalojë në një të ardhme paqësore, pa pranuar krime e së kaluarës. Por gjenocidi, varret masive dhe masakrat, janë e vërteta e Serbisë. Është koha për Vuçiqin të fillojë të merret me të”, shkroi Kurti në Twitter.

Pas dënimit me dy vjet burg të ish ministrit të Administratës dhe Publikut Lokal në Kosovë, Ivan Todosijeviq për shkak të veprës penale nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik, kishte reaguar presidenti serb, Aleksandar Vuçiq i cili masakrën e Reçakut po ashtu e ka quajtur “fabrikim”.

Deklarata e Vuçiqit ka nxitur reagime në vend. Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar pas deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq i cili e quajti masakrën e Reçakut “një fabrikim”.

Thaçi përmes një postimi në llogarinë e tij zyrtare në Twitter, ka thënë se paqja, pajtimi, drejtësia nuk mund të ndërtohet bazuar në mohimin e krimeve.

“Disa zyrtarë nga Serbia mohojnë disa nga krimet më të rënda kundër civilëve që ndodhën në Evropë, sikurse ishte Reçaku, të konfirmuara edhe nga Gjykata e Hagës për krimet e luftës në ish- Jugosllavi. Politikat serbe të gjenocidit nuk mund të mbrohen”, ka shkruar Thaçi.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se urrejtja patologjike e Vuçiqit ndaj shqiptarëve, po dëshmohet edhe me deklarimin e tij të fundit.

Më 15 janar 1999, në Reçak u vranë e u masakruan 45 shqiptarë të paarmatosur./21Media

Back to top button