Pas kërcënimeve ndaj Hajdarit, reagon Këshilli Prokurorial i Kosovës

Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit përkrahin prokuroren

Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kanë reaguar pas kërcënimeve që u janë bërë gjatë ditës së sotme prokurores speciale, Drita Hajdari.

“Këto kërcënime serioze ndaj prokurores Hajdari vijnë si rrjedhojë e fushatës dhe gjuhës denigruese publike nga një grup individësh, pas shpalljes së aktgjykimit nga Gjykata Themelore e Prishtinës në lidhje me rastin e ashtuquajtur “Pronto”. Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit qëndrojnë fuqishëm në përkrahje të prokurores speciale, Drita Hajdari, duke i ofruar mbështetjen e plotë për punën dhe përkushtimin e saj në ushtrimin e funksionit kushtetues dhe ligjor në hetimin dhe ndjekjen e kryeseve të veprave penale.”, thuhet në reagim.

Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit njoftojnë se kërcënimet ndaj prokurores Drita Hajdari janë duke u trajtuar seriozisht dhe me nivelin e duhur të urgjencës, me ç’rast kanë urdhëruar Policinë e Kosovës për të ndërmarrë masa konkrete për identifikimin dhe arrestimin e personave, të cilët kanë kërcënuar prokuroren Hajdari, si dhe të njëjtit të dalin para organeve të drejtësisë.

Prokurorja e Prokurorisë Speciale, Drita Hajdari, ka deklaruar se ka pranuar kërcënime serioze sot. Ajo ka thënë se se gjendet në polici ku e ka lajmëruar rastin. “Mund të konfirmoj se kam pranuar kërcënime serioze. Jam në polici për momentin. Kjo është krejt pasojë e fushatave linquese ndaj meje”, ka deklaruar ajo./21Media

Back to top button