Pas konstituimit të Kuvendit, flet Thaçi

Thaçi: Të zgjedhurit e popullit të punojnë për krijimin sa më të shpejtë të institucioneve

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka uruar të gjithë deputetët e Legjislaturës së Shtatë për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke iu dëshiruar punë të mbarë në detyrat e tyre.

Thaçi ka thënë se të zgjedhurit e popullit duhet t’i lënë anash interesat politike dhe të punojnë për krijimin sa më të shpejtë të institucioneve të Republikës së Kosovës.

“Republika e Kosovës ka sfida të shumta përpara, që kërkojnë nivel të lartë të përgjegjësisë për t’i tejkaluar, prandaj të gjithë të zgjedhurit e popullit duhet t’i lënë anash interesat politike dhe të punojnë për krijimin sa më të shpejtë të institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Konstituimi i Kuvendit të Kosovës me zgjedhjen e Glauk Konjufcës kryetar dhe nënkryetarëve Arbërie Nagavci, Kujtim Shala dhe Memli Krasniqi, i ka hapur rrugë formimit të Qeverisë.

Pas caktimit, mandatari ka në dispozicion 15 ditë që t’ia ofrojë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeverisës. Në rast se herën e parë dështon, Presidenti bazuar në Kushtetutë ka të drejtë që të mandatojë një kandidat tjetër për mandatar. Nëse edhe i dyti dështon që të marrë votat e nevojshme në Kuvend vendi shkon në zgjedhje të parakohshme./21Media

Back to top button