Dje e lamë me lot në sy e sot e gjetëm të buzëqeshur

Dje e lamë me lot në sy e sot e gjetëm të buzëqeshur

Pas kronikës së mbrëmshme në TV21, Mensure Muharremin, që vuan nga tumori në vesh, tromboza në këmbë dhe disa sëmundje tjera, e kanë vizituar Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari dhe zëvendës-ministri për punë dhe politikë sociale, Elmi Aziri. Ata e vizituan atë që në mëngjes, ndërsa i kanë premtuar zgjidhje për problemet e saj. Zonja Muharremi thotë se është mirënjohëse për reagimin e shpejtë, duke pasur parasysh dhimbjet e mëdha që ka.

“Ministri më premtoi që të martën apo të mërkurën të i bëjë kontrollet e nevojshme dhe të caktojë termin për të bërë operacionin, ndërsa për të gjitha shpenzimet do të përkujdeset ai. Edhe zëvendësministri më premtoi që të më rregullojë ndihmën sociale. I falënderoj të gjithë ata që më kanë vizituar edhe juve, TV21, fillimisht juve që më mundësuat të shohin njerëzit hallet e mija, e pastaj të gjithë të tjerët”, tha Mensure Muharremi.

Taravari dhe Aziri, Mensure Muharremit i kanë premtuar se ajo të martën dhe të mërkurën do të bëjë kontrollet e nevojshme dhe në bazë të rezultateve do të vendoset për operacionin e saj për largimin e tumorit. Zëvendës-ministri për punë dhe politikë sociale Aziri thotë se ka kërkuar nga enti social në Kumanovë që qysh nesër të dërgojnë një ekip për t’i ndihmuar familjes Muharremi.

“Gjendjen shëndetësore ashtu si gjendjen ekonomike, e kishte shumë të vështirë, nga ministri i shëndetësisë Taravari, iu premtua që ditën e martë apo ditën e mërkurë të shkojë në spitalin klinik të Shkupit për të bërë të gjitha kontrollet e nevojshme dhe intervenimet eventuale, ndërsa nga ana e ministrisë për punë dhe politikë sociale ditën e nesërme nga qendra sociale në Kumanovë do të shkon një ekip i të punësuarve në vend të ngjarjeve dhe iu premtua ndihmë e njëhershme në të holla”, u shpreh Elmi Aziri, Zëvendësministër për punë dhe politikë sociale.

Ndryshe Mensure Muharremi përveç sëmundjeve, është edhe në gjendje mjaftë të rëndë ekonomike, gjë që ia ka pamundësuar asaj që në mënyrë të rregullt të blejë barnat e nevojshme për trajtimin e sëmundjeve, ndërsa për operacion mjekët i kanë thënë që do të duhet të dalë jashtë shtetit./21Media