Selim Krasniqi i ftuari i radhës

Selim Krasniqi i ftuari i radhës

Ish- pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Selim Krasniqi është i ftuari i radhës i Gjykatës Speciale. Krasniqi këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale.

Ai ka thënë që ftesa i është bërë vetëm gojarisht përmes një telefonate, por që ka kërkuar që kjo ftesë t’i dërgohet ashtu si e parasheh ligji edhe në formë të shkruar.

“Për hir të transparencës dhe duke mos pasur të fshehë asgjë, ju informoj që sapo komunikova me hetues të dhomave të specializuara!! Mu komunikua gojarisht ftesa për në Hagë por unë personalisht kërkova që ç’do veprim të jetë zyrtar e në rrugë ligjore! Lufta e UÇK-së ishte luftë e drejtë dhe Çlirimtare. Jam shume krenar që isha pjesë aktive që nga fillimi, duke derdhur gjak e djersë e duke mos kursyer as jetën për Lirinë dhe dinjitetin e vendit dhe qytetarëve tanë.”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Tutje ai ka bërë të ditur se ka qenë i dënuar edhe nga UNMIK dhe EULEX si dhe ka kritikuar formuesit e Gjykatës Speciale.

“Kam qenë i dënuar 7 vite nga gjykatat e UNMIK-ut dhe EULEX-it dhe këtë jo pse patën fakte por vetëm se edhe pas lufte veprova e punova drejtë dhe ne shërbim të qytetarëve tanë, duke e ndjekur shembullin e Heronjve dhe Heroinave tona që derdhen gjakun për Liri. Kisha nderin të isha bashkë-luftëtar i Fehmiut e Xhevës, Mujës e Ganiut, Ilazit e Abedinit, Tahir Sinanit e Kumanovës, Luanit e Ilirit e shumë e shumë të rënëve për Liri, të cilët ishin shembull i Atdhedashurisë e i sakrificës, i idealeve dhe dinjitetit njerëzor. Do jem deri në vdekje luftëtar i Kombit tim e në asnjë moment nuk hezitoj që edhe të sakrifikohem po të jetë nevoja, duke mos lejuar me asnjë çmim të shkelim gjakun me të pastër të derdhur për Liri. Turpi do bie mbi ata qe formuan këtë gjykate të padrejte e këtë vetëm për dënimin e UÇK-së, duke harruar kështu qindra e qindra masakra të bëra nga falangat serbe, me mijëra e mijëra të masakruar, pleq e plaka, gra e fëmijë, të rinj e te reja e duke shkatërruar ç’do gjë Shqiptare.“, ka përfunduar Selim Krasniqi duke mos bërë të ditur se kur do të paraqitet para Speciales.

Ndërsa sot Gjykata Speciale ka ftuar edhe kryetarin  e Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovcin siç ka thënë ai në cilësinë e dëshmitarit.

Gjykata Speciale është përgjegjëse për hetimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve tjera penale në lidhje me akuzat nga Raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2011, ku flitet për krimet e pretenduara se i kanë bërë pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në periudhën prej vitit 1998 e deri në vitin 2000./21Media