"Mos e përdorni dhimbjen tonë dhe vuajtjet për përfitimin tuaj"

“Mos e përdorni dhimbjen tonë dhe vuajtjet për përfitimin tuaj”

E mbijetuara e dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi-Goodman sot reagoi pas publikimit të fotografisë së sotme nga deputetja Flora Brovina.

“Mos e përdorini dhimbjen dhe vuajtjet tona për përfitimet e juaja. Ma plasët zemrën!, ka shkruar Krasniqi- Goodman në Twtiter.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës ka publikuar sot një foto, në të cilën shihet një grua teksa dhunohet nga disa ushtarë. Deputetja Flora Brovina këtë fotografi e ka prezantuar si dëshmi të dhunimit të grave gjatë luftës në Kosovë. Megjithatë, në një kërkim në Google, e njëjta fotografi paraqitet online, madje me një faqe me përmbajtje pornografike.

Lidhur me këtë çështje, deputetja Flora Brovina ka thënë se fotografia, të cilën e publikoi sot është e bërë në Kosovë dhe se të njëjtën ajo e posedon që nga viti 2003 apo 2004.

“Unë e di vendin e ngjarjes ku ka ndodhur por nuk e bëj publike, sikurse edhe fytyrat që nuk keni mundur t’i identifikoni sepse janë të fshehura, gjë që është diskrecioni por e vërteta nuk duhet të fshihet”, ka thënë Brovina, teksa ka shtuar se një gjë të tillë do ta bënte publike vetëm para prokurores, por jo para opinionit.

Publikimi i fotografisë sot nga Flora Brovina është kritikuar ashpër nga deputetë, aktivistë, e shoqata të ndryshme. Ndërkaq, Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se do të nis hetime në bazë të kësaj fotografie dhe do të marrë në pyetje deputeten për dëshmitë e saj.

Ndërkohë, deputetët e Kuvendit të Kosovës sot votuan një rezolutë për gjenocidin serb të kryer gjatë luftës në Kosovë. Rezoluta u votua me votat e 79 deputetëve./21Media