Thaçi u shpreh se së shpejti do të merr vendim për dekretimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare

Thaçi u shpreh se së shpejti do të merr vendim për dekretimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare

Pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës, ka reaguar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i cili tha se ky venim i përshpejton hapat e organizmit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës dhe në mungesë të gatishmërisë së partive politike parlamentare për të krijuar një qeveri të re.

“Tani është në interes të qytetarëve të Kosovës që pas një procesi zgjedhor demokratik të kemi sa më shpejt një qeveri funksionale dhe llogaridhënëse, e cila i përballon sfidat që na presin si shtet dhe shoqëri”, ka thënë i pari i vendit përmes një deklarate për media.

Thaçi u shpreh se brenda kompetencave të tij kushtetuese, ligjore dhe në përputhje të plotë me vendimin e sotëm të Kuvendit, së shpejti do të merr vendim për dekretimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Republikën e Kosovës.

“Këto zgjedhje duhet të jenë mirë të organizuara, profesionale, për të siguruar një proces fer, demokratik, që mundëson një monitorim të plotë të organizatave ndërkombëtare dhe atyre vendore. Pavarësisht shpërndarjes së Parlamentit, Republika e Kosovës vazhdon t’i ketë institucionet funksionale dhe te qëndrueshme, duke garantuar vazhdimin e punës së institucioneve në përmbushjen e nevojave të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ai.

Kuvendi i Kosovës sot në një seancë të jashtëzakonshme u shpërnda me 88 vota pro, 1 kundër dhe 2 abstenime.

Në nenin 66 të Kushtetutës thuhet se zgjedhjet e rregullta për Kuvend mbahen më së voni tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit, kurse në raste të shpërndarjes së Kuvendit, jo më vonë se dyzet e pesë (45) ditë pas shpërndarjes.

Propozimi i deputetëve për shpërndarjen e Kuvendit, pason dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës më 19 korrik, pasi që të njëjtën ditë kishte marrë ftesë nga Gjykata Speciale e Kosovës me seli në Hagë, për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte./21Media