Situata u tensionua në momentin kur kryetari i FFK-së, Agim Ademi mori fjalën

Situata u tensionua në momentin kur kryetari i FFK-së, Agim Ademi mori fjalën

Përfundoi kuvendi zgjedhor i FFK-së për anëtarët e Komitetit Ekzekutiv. Në këtë kuvend, i cili kaloi me shumë tensione, u votuan anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së edhe për një mandat tjetër katërvjeçar. Gjithashtu në këtë kuvend të pranishëm ishin edhe të dërguarit e UEFA-s dhe FIFA-s, si dhe presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës dhe përfaqësues nga Federata Shqiptar e Futbollit, si dhe përfaqësues të MKRS-së.

Oliver Junk i dërguari nga FIFA tha se FIFA së bashku me UEFA-n gjithmonë është në dispozicion për të mbështetur shtetet anëtare të tyre, përfshirë edhe Kosovën.

Ilir Shulku nga Federata Shqiptare e Futbollit u shpreh se bashkëpunimi mes dy federatave do të jetë edhe më i madh në të ardhmen, teksa përgëzoi kreun e FFK-së Agim Ademin për punën e bërë deri më tani.

Situata u tensionua në momentin kur kryetari i FFK-së, Agim Ademi mori fjalën dhe kërkoi votëbesimin nga delegatët e pranishëm, gjë që u kundërshtua fuqishëm nga Tahir Batatina dhe Abedin Zeka. Ademi u shpreh se kishte të drejtë për një gjë të tillë, mirëpo kjo nuk u votua gjatë këtij kuvendi.

Më i zëshmi nga grupi opozitar në këtë kuvend ishte kryetrajneri i Llapit, Tahir Batatina, i cili u shpreh se po vazhdohen të bëhen shkelje të statutit të FFK-së.

Të njëjtin mendim e pati edhe kryetari i Trepçës 89, Abedin Zeka, i cili akuzoi FFK-në se i ka bërë të barabartë klubet me shkolla e futbollit private.

“Opozita” në krye me Tahir Batatinën dhe Abedin Zekën më pas lëshuan sallën dhe kuvendi arriti që me 37 vota ‘pro’ të votojë anëtarët e komitetit ekzekutiv të FFK-së edhe për një mandat tjetër katërvjeçar.

Kujtomë që, anëtarët e KE të FFK-së që u votuan sot janë: Bakir Burri, Agim Dibrani, Predrag Joviq, Xhelal Broja, Mirsad Qollaku, Naser Ajeti, Iljaz Mjaku, Vjollca Krasniqi, Flamur Bunjaku, Ismajl Ajeti dhe Agim Nura.