Reagimi i Zuckerbergut pas sulmit

Reagimi i Zuckerbergut pas sulmit

Krijuesi i rrjetit social, Facebook, Mark Zuckerberg ka thënë se rregullatorët dhe qeveritë duhet të luajnë një rol më aktiv në kontrollimin e përmbajtjeve në internet.

Në një opinion editorial për Washington Post, shefi i Facebook-ut ka kërkuar më shumë përgjegjësi për monitorimin e përmbajtjeve të dëmshme. Ai ka kërkuar ligje të reja për katër fusha: “Përmbajtje e dëmshme, integritet të zgjedhjeve, privatësi dhe siguri të të dhënave”.

Kjo kërkesë e tij vjen dy javë pas sulmit terrorist në Zelandë të Re, ku terroristi e ka transmetuar live masakrën e tij në dy xhami në Christchurch të Zelandës së Re.

“Ligjëvënësit thonë se ne kemi shumë ndikim dhe unë pajtohem”, ka shkruar Zuckerberg dhe ka shtuar se Facebook po krijon një organ të pavarur në të cilin njerëzit kanë mundësi të apelojnë vendimet tona rreth asaj se çka të postohet dhe çka jo.

Po ashtu, Zuckerberg ka treguar një numër rregullash që ai do të donte që edhe kompanitë tjera t’i adoptojnë.

Këto rregulla sipas tij, duhet të jenë të njejta për të gjitha uebsajtet. E kjo, sipas tij do të ndikojë që të ndalohen përmbajtjet e dhunshme.

Një ceremoni përkujtimore është mbajtur të premten në Christchurch të Zelandës së Re, për të nderuar 50 viktimat e sulmit terrorist të 15 marsit. Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern ka folur në organizim, bashkë me liderët myslimanë dhe të mbijetuarit e sulmit./21Media