Pas tërmetit, Shoqata Shqiptare e Bankave ndan 200 mijë euro

Që nga fillimi i urgjencës, të gjitha Bankat kanë hequr dorë nga tarifat dhe komisionet e aplikuara

Shoqata Shqiptare e Bankave pas tërmetit të 26 nëntorit shpreh solidaritetin për të gjithë qytetarët dhe familjet e prekur nga pasojat.

Si një mbështetje konkrete dhe efektive, Asambleja e Përgjithshme e Shoqatës ka vendosur të dhurojë shumën prej 200,000 mijë euro, duke depozituar një shumë të tillë në llogarinë speciale të hapur dhe administruar nga Qeveria shqiptare.

Kjo shumë është veçmas nga të gjitha kontributet e tjera të kryera nga anëtarët individualë të Shoqatës bazuar në rregullat dhe politikat e tyre.

Për më tepër, Shoqata ka pranuar vullnetin e fortë të anëtarëve të saj për të zbatuar një numër masash, bazuar rast pas rasti, me qëllim mbështetjen e të gjithë huamarrësve që janë dëmtuar nga tërmeti.

Për këtë qëllim, Shoqata inkurajon të gjitha palët e interesuara të kontaktojnë Bankën e tyre për të marrë informacion dhe udhëzime. Në të njëjtën kohë, Shoqata do të punojë me institucionet përkatëse dhe rregullatorët për t’u siguruar që përfituesit e masave të përmendura nuk do të jenë subjekt i ndonjë ndryshimi në klasifikimin e tyre të ecurisë së shlyerjes së kredisë.

Shoqata ka theksuar se që nga fillimi i urgjencës, të gjitha Bankat kanë hequr dorë nga tarifat dhe komisionet e aplikuara për transaksionin financiar (vendas dhe ndërkombëtar) për transferimin e fondeve në favor të viktimave të tërmetit.

Nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri kanë vdekur 52 persona, derisa rreth 900 të tjerë kanë pësuar lëndime. Në mesin e viktimave që kanë humbur jetën nga tërmeti në Shqipëri, ishin edhe dy vëllezërit nga Gjilani, Shemsedin dhe Isa Abazi.

Back to top button