"Besa, e dashur..."

“Besa, e dashur…”

Këngëtarja e mirënjohur shqiptare, Besa Kokëdhima njoftoi se do të tërhiqet zyrtarisht nga Festivali “Kënga Magjike”, për shkak të tragjedisë që e goditi Shqipërinë. Artistja u shpreh se nuk do të jetë në gjendje të performojë.

I menjëhershëm ishte reagimi i producentit të festivalit, Ardit Gjebra, i cili i kërkoi asaj të mos mungojë në këtë festival, transmeton rtv21.tv

“Besa e dashur, të thashë që Kënga Magjike këtë vit do të ketë misionin #kendojpertendertuar dhe të gjithë bashkë do kontribuojmë për ata që kanë nevojë. Kam qënë këto ditë në Thumanë dhe vendosëm që me të ardhurat nga biletat të ndërtojmë një shtëpi nga e para dhe kjo gjë do të transmetohet të dielën në @edielashqiptare. Secili bën atë që ndjen, të gjithë artistët janë bashkë këtë herë për të ndërtuar. Të lutem mos mungo! Të gjithë ndiejmë dhimbje, por #tegjithebashkemundemi Edhe artistët e huaj kanë ardhur për këtë kauzë! Të presim!”, i shkroi ai.

Përmes një shkrimi në llogarinë e tij, Gjebrea njoftoi se nga të ardhurat e festivalit do t’i ndërtohet shtëpia një familjeje në Thumanë.

Shqipëria në mëngjesin e 26 nëntorit u godit nga një tërmet vdekjeprurës me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter. Shifra e të vdekurve nga tërmeti i së martës në Shqipëri ka arritur në 49, ndërsa të lënduar janë qindra persona./21Media