“Pasuria më e madhe e Kosovës janë të rinjtë dhe të rejat”

Veseli dhe Beqaj në “Kosova Digjitale-Open Day”

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ka deklaruar se pasuria më e madhe e Kosovës janë të rinjtë dhe të rejat me shkathtësi të dëshmuar tashmë në fushën e tokologjisë dhe inovacionit.

Këto komente ministri i ka bërë gjatë vizitës në Qendrën e Inovacionit të Kosovës (ICK) ku bashkë me kryetarin e Kuvendit të Kosovës Kadri Veselin, kanë parë punën e të rinjve që po bëjnë në fushën e inovacionit dhe teknologjisë informative.

“Pasuria më e madhe e Kosovës janë të rinjtë dhe të rejat të shkathta në fushën e inovacioneve, që kanë ndikim të drejtpërdrejt në krijimin e ekonomisë digjitale. Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë do të përkrahë këta të rinj të cilët janë e ardhmja e vendit”, tha Beqaj.

Ndërsa Veseli ka deklaruar se qëllimi i themelimit të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë ka qenë përkrahja e të rinjve me ide dhe kapacitete inovative, të cilët janë të shumtë.

“Ekonomia e dijes dhe ajo digjitale janë çelësi i zhvillimit. Dekada e dytë e shtetit të Kosovës do të jetë dekada e një transformimi ekonomik. Dhe këtë mund ta bëjmë më se miri me rininë tonë inovative dhe kreative ”, tha Veseli.

Vizita është realizuar në kuadër të ngjarjes “Kosova Digjitale-Open Day” që është organizuar nga ICK në kuadër të shënimit të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Back to top button