Agjencia Kundër Korrusionit, institucion për administrimin e formulareve

Agjencia Kundër Korrusionit, institucion për administrimin e formulareve

Pasuria e zyrtarëve politikë në Kosovë pjesën më të madhe e kalon vlerën prej 1 milion eurosh, por që në anën tjetër të hyrat vjetore të këtyre të fundit nuk del të jetë më tepër se 30 mijë euro. Kështu thotë drejtori ekzekutiv i “Çohu”, Arton Demhasaj.

Në një intervistë Demhasaj flet për deklarimin e pasurisë së zyrtarëve publik, a duhet të ekzistojë Agjencia Kundër Korrupsion, për ligjin e financimit të partive politike, shkëmbimin e territoreve e shumëçka tjetër.

Demhasaj thotë se krahasuar me të hyrat vjetore të zyrtarëve dhe vlerave që i deklarojnë, lind dyshimi se si arrijnë të pasurohen ata.

“Edhe nëse me vite të tëra e kanë kursyer komplet pagën që e kanë marrë, është e pamundur me arrit me u kriju vlera e pasurive që zyrtarët e lartë e deklarojnë. Edhe pastaj lind dyshimi që në këto deklarata të pasurive të zyrtarëve të lartë të publik mund të ketë pasuri të paligjshme, ose edhe të pashpjegueshme, për vet faktin e dallimit shumë të madh në vlerën e pasurisë që deklarohen dhe të hyrave që i kanë”, thotë Demhasaj.

E problemi më i madh për këto parregullësi thotë se qëndron në atë se zyrtarët janë vet shteti, për çka ndodhin edhe këto raste.

Demhasaj thekson se në kohën kur është ndërtuar baza ligjore për deklarimin e pasurisë nuk janë krijuar mekanizma ligjor dhe institucional që merren me verifikimin e pasurive të deklaruara dhe prejardhjen e pasurive që ata deklarojnë.

“Kur është nis procesi i deklarimit të pasurive qëllimi kryesor ka qenë që të luhet efekt parandalues në luftën kundër korrupsionit dhe në afera të ndryshme korruptive dhe sot kemi parë që kjo ka humbur, ky efekt nuk ekziston dhe çka u mbet Agjencia Kundër Korrupsionit, është mbet si një institucion i cili vetëm administron me formularët e deklarimit dhe i mbart të dhënat prej formularit tek regjistri, por nuk ka ndonjë gjenerim të ri të dhënave që munden me qenë si prova për lëndët e ndryshme penale. Unë mendoj që kjo gjendje mund të ndryshoj. Mundet me u ndryshu edhe me ndryshimin e bazës ligjore aktuale që e rregullon çështjen e deklarimit të pasurive duke e shtuar mekanizma ligjor dhe institucionalë që merren me kontrollin me verifikimin me vërtetësinë e të dhënave, e njëkohësisht edhe me prejardhjen. Pa i anashkaluar edhe pasuritë që janë jashtë shtetit”, thotë ai.

Demhasaj thotë se duhet të rregullohet me ligj që çdo zyrtarë i lartë, pasurinë e tij të luajtshme apo jo, ta deklarojë në bazë të vlerës reale të tregut që është, në momentin kur ai e deklaron.

E deklarimet e deritanishme, ai thotë se janë bërë vetëm për shkak të kërkesave që janë bërë nga Bashkimi Evropian, por jo edhe për shkak të qëllimit të mirë të këtyre personave.

Sa i përket ligjit aktual të financimit të partive politike, ai thotë se kur ka filluar procesi i rishikimit të ligjit për financim të partive politike, ka filluar me një qëllim të mirë, nga ku është kërkuar edhe mendim nga komisioni i Venecias që të jap për këtë çështje.

Gjatë kohës sa ka punuar në Kosovë, ky komision ka nxjerr rekomandime. Këto rekomandime janë përfshirë në draft ligjin e parë, është dorëzu në Kuvend dhe pastaj prapë është tërhjek prej Kuvendit dhe janë inkuadruar dy ndryshme.

Këto ndryshime kanë pasur për bazë që të hiqet kufizimi i donacioneve të jashtme për partitë politike, për ndarjen e fondeve dhe për grupet parlamentare.

Por sipas tij, grupi punues që ka pasur detyrë të merret me këtë ligj, në vend që të përmirësojë, ata e ka shkatërruar edhe më shumë.

“E kanë shkatërruar në aspektin se janë rritur donacionet për personat fizik dhe për persona juridik janë dyfishuar nga 2000 në 4000 për persona fizik dhe nga 10000 mijë në 20000 për persona juridik. Janë zvogëluar gjobat në masë deri në 70 përqind, që mund të ndëshkohen subjektet politike për donacione të paligjshme. Është rritur mundësia që partitë politike me pas mundësi me marr cash nga 50 euro sa ka qenë është dhjetëfishuar dhe ka kaluar në 500 euro. Në momentin kur u jepet mundësia partive politike që me pas mundësi me marrë nga 500 euro cash, atëherë kjo është edhe rrisk i madh për gjenerim të korrupsionit, për pastrim të parave, e gjëra të tilla për faktin që po u jep mundësi me marrë para cash”, thotë ai.

Nëse ky projektligj kalon me të gjitha këto ndryshime që kanë ndodhur, Demhasaj thotë se vetëm do t’u jepet mundësia partive politike që të kenë mundësi për të marrë fonde në mënyrë të legalizuar, duke përfshirë mundësinë edhe të shpëlarjeve të parave.

Demhasaj thotë se në bazë të hulumtimeve, është vërejtur se është krijuar një lidhje klienteliste në mes partive politike dhe bizneseve.

Ai flet edhe për idenë e shkëmbimit të territoreve. Drejtori ekzekutiv i organizatës “Çohu”, në intervistën 45-45 për KosovaPress, thotë se pas 20 vitesh liri të përmendet një ide e tillë nuk ka aspak kuptim.

“20 vjet kemi shpenzuar energji për të krijuar një shtet multietnik çfare e kemi dhe tash me fillu me kriju një shtet të pasur etnik përmes idesë së korrigjimit të kufijve apo lëvizjes së kufijve me tendencën që po japim një territor e po marrim një territor edhe pse kjo zyrtarisht nuk është thënë asnjëherë, zyrtarisht është thënë vetëm se po dojmë me marrë Luginën e Preshevës, por që kjo ka qenë non sense, për faktin se si mundemi ne me prit për me marrë Luginën e Preshevës me na njoh Serbia, derisa ajo nuk po na njeh pa Luginën e Preshevës. Prapë se prapë nuk ia vlen me hup 20 vjet kohë që janë shpenzuar për me u mundu me kriju një shtet çfare e kemi sot, e aq më pak kur shohim deklaratat e fundit që vijnë nga faktori ndërkombëtar, ku vazhdimisht është fol se Kosova si e tillë me sovranitetin çfare e ka, me kufijt çfare i ka duhet të tentoj të zhvillohet edhe të ecë tutje në proceset integruese dhe euroatlantike”, thotë ai.

Ai shton se kanë pasur refuzim total nga partitë politike sa i përket qasjes në pasqyrat e tyre financiare, duke përjashtuar Lëvizjen Vetëvendosje, e cila i ka dorëzuar pasqyrat financiare.

Në bazë të po këtyre hulumtimeve, thotë se VV prinë edhe me donacione të jashtme, të cilat kanë vlerën 900 mijë euro.