“Pavarësia, kurorëzim i sakrificave dhe punës së shumë gjeneratave”

Sipas Mustafës, Pavarësinë Kosova e ka arritur edhe falë përkrahjes së çmuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve perëndimorë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka uruar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës në 11 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Mustafa është shprehur se shpallja e pavarësisë shënon të arriturën kulminante dhe momentin më të rëndësishëm në historinë më të re të Kosovës.

“Pavarësia është kurorëzim i sakrificave dhe punës së shumë gjeneratave ideali i të cilave ishte liria. U jemi mirënjohës arkitektit të pavarësisë Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, Familjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari, dëshmorëve të Kombit dhe të gjithë atyre që dhanë kontribut për ta fituar me mund këtë ditë. Pavarësinë tonë e arritëm edhe falë përkrahjes së çmuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve tjerë perëndimorë. Vlerat e pavarësisë dhe ndërtimit e zhvillimit demokratik të vendit tonë, janë vlera të përbashkëta që i ndajmë me miqtë dhe aleatët tanë, ashtu siç e ndajmë përgjegjësinë tonë për kultivuar ato edhe në të ardhmen”, është shprehur Mustafa.

Kosova është shpallur shtet i pavarur më 17 shkurt 2008 nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, gjatë një seance solemne, ku deklaratën e pavarësisë e ka lexuar ish-kryeministri, Hashim Thaçi. Deklarata e Pavarësisë është miratua nga 109 deputetë të Kuvendit të Republikës, ku kanë munguar vetëm deputetët e komunitet serb./21Media

Back to top button