Dy partitë thonë se nuk ka pasur punë intensive

Dy partitë thonë se nuk ka pasur punë intensive

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka paralajmëruar se shumë shpejt do t’i dërgojë në Kuvend propozimet e partive politike për reformën zgjedhore që ka iniciuar kohë me parë, por partitë politike nuk kanë dërguar asnjë propozim, pasi nuk kanë funksionuar grupet fillestare për këtë çështje të iniciuara nga presidenti Thaçi.

Zyra për media e presidencës, ka konfirmuar, se ekipet punuese për hartimin e legjislacionit për reformën zgjedhore dhe janë finalizuar aktet normative, siç janë propozim amendamentet e Kushtetutës; projektligji për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës; projektligji për zgjedhjet e Kuvendit të Kosovës dhe Projektligji për zgjedhjet lokale në Kosovë.

Meqë këto akte normative janë finalizuar nga departamenti për çështje ligjore i Presidencës, presidenti Hashim Thaçi, thotë se këto propozim ndryshime shumë shpejt do t’i dërgojë në Kuvend.

“Draftet janë hartuar, ka ndodhur konsultime me një spektër të gjerë të partive politike, me shoqërinë civile, me mediat, me njerëzit e opinionit publik të rëndësishëm për skenën e Kosovës. Do të procedohet në ditët e ardhshme dhe Kuvendi do të vendos”, tha Thaçi.

Mirëpo, krejt ndryshe po thonë partitë politike në vend. Përveç opozitës e cila ka bojkotuar nismën e kreut të shtetit, edhe dy partitë në pushtet, PDK e LDK thonë se nuk ka pasur punë intensive nga grupet punuese të themeluara nga presidenti, pos nismës fillestare.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti tha se janë të gatshëm të ulen për të bërë një reformë të mirëfilltë zgjedhore, por nuk kanë si ta bëjnë këtë gjë pa qenë të gjitha partitë të përfshira në këtë proces.
“Ka qenë një nismë e presidentit, të cilës nismë nuk kanë pasur vullnet t’i përgjigjen të gjitha partitë politike. Ne kemi qenë dhe mbetemi të gatshëm të ulemi dhe të shohim gjithçka që mund të bëjmë për të ndryshuar sistemin zgjedhor në të mirë të kërkesave të qytetarëve. Nëse këtë vullnet nuk e kanë të gjitha partitë, nuk ka se si mund vetëm ne ta bëjmë këtë”, tha Pajaziti.

Pajaziti, konfirmon mos dërgimin e propozimeve të tyre si parti për reformën zgjedhore, meqë nuk ka pasur tryeza për diskutim dhe nuk kanë pasur ku t’i dërgojnë.

Të njëjtën gjë e thotë edhe deputeti i LDK-së, Sadri Ferati, sipas të cilit përveç nismës fillestare nuk ka pasur punë intensive nga grupet.
“Jo, nuk kam informacion që ka pasur një punë intenzive të formimit të grupeve përveç iniciativës fillestare. Kështu që mendoj që nuk janë dorëzuar. Sepse nuk ka pasur vazhdim të iniciativës”, theksoi Ferati.

Albert Krasniqi prej KDI-së e quan jo transparent këtë proces, meqë edhe tre muaj pasi ka përfunduar punën grupet, ende nuk e kanë parë draftin final të përgatitur nga zyra e presidentit.
“Po, ne kemi marr pjesë në këto grupet që janë përbërë prej ekspertëve që janë marr me zgjedhje dhe trupave që kanë bërë organizimin e zgjedhjeve në Kosovë. Disa prej rekomandimeve tona që i kemi adresuar aty, ka qenë ulja e pragut zgjedhor për kandidatët e pavarur, pasi kemi konsideruar se kjo është shkelje të drejtave të njeriut”, tha Krasniqi.

Partitë opozitare qysh nga fillimi e kanë bojkotuar këtë proces, duke paralajmëruar se edhe në Kuvend do ta kundërshtojnë një iniciativë të tillë.

http://rtv21.tv/pdk-e-ldk-sderguan-propozime/
Facebook Comment