PDK: Konjufca duhet të dorëhiqet për shkak të lidhjeve me “Syrin e Popullit”

Për PDK-në e papranueshme qasja e deritanishme e Vetëvendosjes

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca.

Hamza ka drejtuar gishtin kah Konjufca duke thënë se ishte një nga ideologët politik të organizatës “Syri i Popullit”.

“20 vjet pas luftës, Kosova, nuk e meriton të ketë në krye të institucionit kryesor demokratike një politikan i cili ka lidhje familjare dhe politike me aktivistet e Vetevendosjes te Syrit te Popullit. Tanimë që akt-akuza është provuar dhe aktivistë të Vetëvendosjes si Sadri Ramabaja tashmë janë dënuar, është bërë e doemosdoshme që Lëvizje Vetëvendosje të reagojë duke u distancuar nga kjo organizatë terroriste dhe duke dënuar veprimtarinë e saj. Për këtë arsye, kryeparlamentari Glauk Konjufca duhet urgjentisht të jap dorëheqje që ta ruaj karakterin demokratik dhe ligjor të Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Hamza.

Hamza ka theksuar se për PDK-në kjo është e papranueshme.

“Për Partinë Demokratike të Kosovës është e papranueshme qasja e deritanishme e Vetëvendosjes e cila po pretendon të udhëheq institucionet e vendit. Akoma më alarmante është mos-deklarimi për këtë çështje i kryetarit të Kuvendit të Kosovës që vjen nga kjo parti, Glauk Konjufcës, i cili është një nga ideologët politik të kësaj organizata terroriste”, ka thënë Hamza.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 22 janar ka shpallur fajtorë të akuzuarit në rastin e njohur si “Syri i Popullit”. Sipas Gjykatës të akuzuarit planifikimin vrasjen e shumë zyrtarëve të lartë në Kosovë, duke përfshirë presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli./21Media

Back to top button