Ismaili dhe Avdyli patën kritika ndaj njëri-tjetrit

Ismaili dhe Avdyli patën kritika ndaj njëri-tjetrit

Sonte në “Debat Përnime” u bisedua për shëndetësinë. Lidhur me këtë temë Haxhi Avdyli nga LDK si ish-anëtar i komisionit për shëndetësi dhe mirëqenie sociale tha se ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili për gjysmë mandatin e tij nuk ka sjellë në komision asnjë ligj të ri.

“Asnjë ligj të ri nuk e ka pru, as për amandamentim, as për ligjin për sigurime shëndetësore, as ligjin për shëndetësi”, u shpreh Avdyli, shkruan rtv21.tv

Lidhur me këto që tha Avdyli, ministri në largim i Shëndetësisë, Uran Ismaili ia përmendi Avdylit ligjin për produkte gjaku, derisa Avdyli u shpreh se ai ligj ka qenë i qeverisë së kaluar.

“Këta flasin veç për ligje, a nive tu fol naj projekt të pacientit, a nive naj sen tu fol për çmimet e barnave. Jo Vjosa ka me ardhë me ndreq një sistem, cilin sistem, sistemin që e keni shkatërru ju për një kohë të gjatë, sistemin që u ble bari 3 euro, u ble bari 32 euro”, tha ndër të tjera Ismaili.

Sa i përket çështjes së barnave, Avdyli u shpreh se Ismaili foli për monopolet, duke krijuar monopole për bashkëpartiakët e tij, duke akuzuar Ismailin që ka sjellur barna të kualitetit të dobët.

“Furnizimi me barna në QKUK ka qenë si asnjëherë më keq”, shtoi Avdyli nga LDK. Ai theksoi se ministri Ismaili nuk ka ide se si funksionon sistemi shëndetësor.

Ndërsa, Ismaili nga PDK u shpreh se kush ka nevojë, që ka sulm në zemër shkon e merr shërbim, duke theksuar se nuk është ai shërbim për parti, por shtoi se është shërbim për qytetarët e Kosovës.

Ndërkaq, Haxhi Avdyli e quajti jo profesionist Ismailin, duke shtuar që ky i fundit mendon që i gjithë sistemi shëndetësor është QKUK dhe Kardiologji dhe se Ismaili ka vepruar si një drejtor i QKUK-së dhe asgjë më shumë.

Ndërkohë, Fatmire Kollçaku nga Lëvizja Vetëvendosje përmendi disa nga ngecjet në sistemin shëndetësor që sipas saj kanë ndodhur.

“Lista e pabazuar e protokollit dhe udhërrëfyes klinik, pastaj ligji i pazbatueshëm për pajisje dhe produkte medicinale gjatë mandatit e kemi monitoru, pjesa ma e madhe e akteve në ligjërim nuk është nxjerrë dhe tashmë ai ligj komplet duhet të ndryshojë si dhe sistemi i prokurimit, ju e dini çka ka kalu përmes sistemit të prokurimit QKU, kur kanë vdekë pacientët dhe dhe fatmirësisht disa kanë shpëtu, pra një monitorim i mirëfilltë edhe reformim i prokurimit me mbikëqyrje dhe transparencë për publik”, tha Kollçaku./21Media