PDK thirrje vëzhguesve të tregohen të vëmendshëm

PDK thirrje vëzhguesve të tregohen të vëmendshëm

Partia Demokratike e Kosovës bëri të ditur se ka pasur përpjekje të militantëve nga partitë e tjera për të dëmtuar procesin e deritanishëm zgjedhor.

Abelard Tahiri nga kjo parti, në një konferencë për media, ka përmendur persona nga Vetëvendosje, të cilët sipas informacioneve nga terreni kanë tentuar të blejnë vota në Prizren, ndërsa për LDK-në tha se aktivistë të tyre në Mitrovicë janë parë afër qytetarëve duke u bërë presion.

Ka pasur përpjekje të militanteve partiakë për të dëmtuar procesin. Në Prizren kemi denoncuar blerje të votave nga militantë të VV. Rasti është lajmëruar në Polici, në shkollën “Abdyl Frashëri” është zënë në flagrancë një militant. Në Mitrovicë një aktivist ka joshur qytetarët për shitje të votës. Këto janë shkelje të rënda dhe në Mitrovicë janë parë edhe nga LDK duke bërë presion te qytetarët”, tha Tahiri.

Ai u ka bërë thirrje komisionarëve të PDK-së që të ruajnë qetësinë dhe mos të bien pre e provokimeve.

Po ashtu u ka bërë thirrje vëzhguesve të huaj e vendorë të tregohen të vëmendshëm në identifikimin e parregullsive.

PDK u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që t’u drejtohen kutive të votimit në mënyrë që qeveria e ardhshme të ketë legjitimitet./21Media