Dardan Berisha ishte më i miri te Peja me 26 pikë

Dardan Berisha ishte më i miri te Peja me 26 pikë

Në një ndeshje të jashtëzakonshme, Peja sot mposhti Sigal Prishtinën me rezultat 82:76 (22:7, 29:25, 19:27, 12:17), në super-derbin e javës 21 të Superligës së Kosovës në basketboll.

Takimi u zhvillua në një atmosferë të jashtëzakonshme, me ‘Karagaçin’ e stërmbushur me tifozë. Vendasit të motivuar nga tifozët, e nisin për mrekulli ndeshjen, duke dominuar në çerekun e parë, që e fitojnë 22:7.

Megjithatë, në periodën e dytë u zhvillua një lojë më e baraspeshuar, por ‘verdh-e-zinjtë’ sërish e fituan 29:25, duke shkuar në pushim me rezultat 51:32.

Në periodën e tretë u rikthyen fuqishëm ‘bardh-e-kaltrit’, duke afruar shifrat në 59:52, derisa rezultati në semafor pas 30 minutash tregonte shifrat 70:59 për vendasit.

Mysafirët në 10 minutat e fundit arritën të afrojnë edhe më shumë rezultatin, duke e bërë ndeshjen edhe më dramatike. Dy minuta pa përfunduar sfida, Prishtina ngushtoi epërsinë në 76:73, por Peja arriti të ruajë epërsinë e krijuar dhe në fund triumfoi 82:76.

Dardan Berisha ishte më i miri te Peja me 26 pikë, tri kërcime dhe katër asistime, derisa u ndihmua nga Drilon Hajrizi me 15 pikë e 13 kërcime, kurse te Sigal Prishtina më së shumti pikë shënuan Jordan Johnson 26 dhe Anthony Goods 22.

Peja tani ka 10 fitore dhe tetë humbje, kurse Sigal Prishtina 14 fitore dhe pesë humbje, aq sa ka edhe Rahoveci.

Në tabelë prijnë Prishtina dhe Rahoveci me nga 33 pikë.