Veliaj: Me këtë aksion jepet një shembull shumë i mirë

Veliaj: Me këtë aksion jepet një shembull shumë i mirë

Edhe në ditën e Shën Valentinit, Bashkia e Tiranës ka vijuar aksionin për mbjelljen e pemëve, për t’i dhënë më shumë hapësira të gjelbra kryeqytetit. Parkut të Farkës i janë shtuar edhe 200 pemë të tjera.

Kryebashkiaku Erion Veliaj, tha se gjëja më me vlerë që mund t’i lëmë si pajë gjeneratës tjetër është më shumë oksigjen, gjelbërim.

“Kur pema të rritet dhe të jemi bërë gjyshër, fëmijët tanë, nipërit dhe mbesat, të thonë se kur prindërit e mi ishin të rinj i lanë diçka qytetit, që unë mund të vij e ta vizitoj dhe të ndihem krenar për kontributin e tyre”, tha Veliaj.

Ai theksoi se me këtë aksion jepet një shembull shumë i mirë që do të shërbeje si frymëzim për fëmijët.

“Rikthimi i fokusit tek fëmijët, qoftë ata që punojnë në media, qoftë ata që menaxhojnë qytetin, e ka bërë qytetin më të ndjeshëm, që të mendojë më shumë për gjeneratën e ardhshme, se sa për zgjedhjet e ardhshme. Ndaj, i jam asaj shumë mirënjohës edhe familjes së saj, bashkëshortit, fëmijëve që na janë bashkuar në këtë fushatë. Të falënderoj Mira për shembullin fantastik dhe frymëzimin tek fëmijët, se unë kam vënë bast që ky qytet e ka të ardhmen më të mirë falë tyre”, theksoi Veliaj.

Bashkia e Tiranës ka për objektiv që deri në 21 mars ditën botërore të pyjeve të janë mbjellë 100 mijë pemë.