"Ne morëm një plan të zbatueshëm të inteligjencës të shtunën në mëngjes"

“Ne morëm një plan të zbatueshëm të inteligjencës të shtunën në mëngjes”

Zëvendëspresidenti i SHBA-së Mike Pence zbuloi sot detaje të reja në lidhje me aksionin ushtarak amerikan që vrau liderin e Shtetit Islamik Abu Bakr Al Baghdadi, duke thënë se informacioni rreth fshehjes së tij në Idlib ishte i njohur qysh ditën e enjte.

Pence tha për televizionin CBS, se ai dhe presidenti Donald Trump mësuan të enjten pasdite se “ekziston një probabilitet i lartë” që Al Baghdadi strehohet në Idlib.

Sipas Pence, Trump urdhëroi komandantët e ushtrisë që të marrin në konsideratë të gjitha opsionet ushtarake dhe t’i paraqesin atij të premten në mëngjes.

“Ne morëm një plan të zbatueshëm të inteligjencës të shtunën në mëngjes, i cili u miratua nga Trump”, tha Pence, transmeton KosovaPress.

Trump tha më herët sot se Al Baghdadi u vra në një operacion ushtarak të kryer gjatë natës së kaluar nga forcat amerikane në provincën siriane të Idlib.

Sipas Trump, Al Baghdadi vrau veten dhe tre fëmijët e tij duke shpërthyer një jelek me eksploziv në tunel.

Ai tha se shumë nga bashkëpunëtorët e Al Baghdadit u vranë gjithashtu, dhe se nuk pati viktima në radhët e ushtarëve amerikanë.

Trump falënderoi Rusinë, Irakun, Sirinë dhe Turqinë për ndihmën e tyre, duke thënë se Rusia kishte hapur hapësirën ajrore mbi Sirinë për avionët amerikanë.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes së Rusisë ka thënë se dyshon se ky operacion ushtarak amerikan ka ndodhur ndonjëherë, pasi nuk ka asnjë provë të besueshme se Al Baghdadi ka vdekur.

Për më tepër, ministria mohoi që ajo kishte hapur hapësirën ajrore të Sirisë për Forcën Ajrore të SHBA-së.