Vuçiq: Nuk kërkojmë asgjë nga Maqedonia

Vuçiq: Nuk kërkojmë asgjë nga Maqedonia

Me nderime të larta u prit presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski në Serbi ku u mbajt takimi tete-a-tete me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ndërsa më pas edhe takim plenar, i cili përfundoi me pres-konferencë për media. Vuçiq theksoi se Serbia nuk ka çështje të hapura përveç çështjes me Kosovën dhe se janë vendi i vetëm, i cili nuk ka kërkesa ndaj Maqedonisë. Vuçiq paralajmëroi hapje të qendrave të kulturës në Shkup dhe Beograd.

“Ne nuk kemi ndaj Maqedonisë dhe maqedonasve asnjë kërkesë. Ne ndoshta jemi vendi i vetëm i cili nuk kërkon asgjë. As në të kaluarën e as tani. Të vetmen gjë që e kërkojmë është të punojmë dhe të jetojmë bukur me njëri – tjetrin në të ardhmen”, tha Vuçiq.

Pendarovski dhe Vuçiq biseduan për tema aktuale, ndër të cilat edhe për marrjen e datës për negociatat me BE-në për Maqedoninë dhe Serbinë. Pendarovski tha se nga Makroni nuk ka marrë garanci se Maqedonia do të jetë pjesë e BE-së.

“Presidenti Makron nuk na dha asnjë garanci dhe nuk mund të na jep garanci për hapjen e negociatave aderuese për shkak se thotë që së pari duhet të ndryshohet metodologjia, më pas vijon vendimi politik, ndërsa vendimi politik dihet, secili vend ka një votë dhe hapja e negociatave bëhet me parimin e konsensusit të plotë. Në mënyrë decide thotë në atë non paper se nuk parasheh asnjë zëvendësim të anëtarësimit me shtetet e Ballkanit perëndimor apo ndonjë zgjedhje alternative”, u shpreh Pendarovski.

Vuçiq ishte decid për çështjen e zgjerimit të BE-së. Ai tha se Bruksel nuk e di se çfarë do nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Gjatë bisedimeve me Zaevin në Nish, Vuçiq i tha Zaevit se nuk do të ketë datë për fillim të negociatave, por kryeministri i Maqedonisë e siguroi se një gjë e tillë do të ndodhë.

“Nëna dhe babai nga Evropa na thonë: A e shihni çfarë problemesh bëjnë ata në Shkup, a e sheh çfarë probleme bëjnë në Beograd. Turp. Dhe kështu ne kthehemi të lumtur në shtëpi se e kemi kritikuar njëri-tjetrin dhe kemi përfunduar punë të madhe për ne. Ndërsa ata me ne luajnë si me kukull. Kjo kohë do të mbarojë. Nuk dëshiroj të dëgjoj për askënd dhe asgjë keq. Do ua them në fytyrë çfarë mendoj”, theksoi Vuçiq.

Në lidhje me iniciativën për formimin e Shengenit të Vogël, Pendarovski tha se tani gjërat janë më të qarta se sa në fillim kur ekzistonte vetëm ideja për këtë. Sipas tij, disa vende tashmë kuptuan se nuk bëhet fjalë për alternativë për BE e as për formimin e Jugosllavisë së re.

“Pas keqkuptimit fillestar te dikush, është e qartë se nuk bëhet fjalë për restaurim të ndonjë Jugosllavie të katërt. Është e qartë se nuk bëhet fjalë për alternativë të BE-së, por bëhet fjalë për nismë të nevojshme për lidhjen e ekonomisë dhe tregtisë rajonale që ka një qëllim të vetëm, për një periudhë të shkurtër, krijimi i standardit jetësor për të gjithë popujt tanë”, potencoi presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Takimi dhe bisedat do të vazhdojnë sonte në drekë zyrtare mes Vuçiqit dhe Pendarovskit. Gjatë ditës së nesërme, Presidenti i Maqedonisë do të shkojë në Novi Sad ku do të zhvillojë takim me presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor. Atje ai do të marrë pjesë edhe në Forumin rajonal të të rinjve – Panel presidencial “Fjalim para të rinjve, para përfaqësuesve të pushtetit: prezantimi i dialogut politik para gjeneratës së mileniumit”./21Media