Peniani ka testuar raketë që mund të bartë predha bërthamore

Zyrtarët e Koresë së Veriut e konfirmojnë testimin

Koreja e Veriut ka konfirmuar se të dielën ka testuar një lloj të ri të raketës, e cila mund të bartë predha bërthamore, kanë raportuar mediat veri-koreane.

Agjencia e lajmeve, KCNA, njoftoi se është testuar një raketë strategjike balistike me rreze të mesme deri të gjatë veprimi dhe shtoi se testi është mbikëqyrë personalisht nga udhëheqësi i vendit, Kim Jong Un, shkruan rtv21.tv

Sipas KCNA, raketa është në gjendje të bartë një predhë të madhe bërthamore dhe shtoi se Kim Jong Un ka lavdëruar konstruktorët, duke ju thënë se kanë punuar me zell dhe se kanë arritur një gjë të madhe.

Koreja e Jugut ka njoftuar se raketa është shkrepur nga një lokacion në veriperëndim të Penianit dhe se ka fluturuar rreth 700 kilometra.

Agjencia e lajmeve, Jonhap, theksoi se ishte ky provokimi i parë nga ana e Penianit, prej se Presidenti i ri i Koresë së Jugut, Mu Je In, mori përsipër funksionin javën e kaluar.

Peniani në anën tjetër njoftoi se raketa e shkrepur të dielën ka arritur një lartës mbi 2 mijë kilometra dhe se ka fluturuar 787 kilometra.

Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara pritet që nesër të debatoi për testin më të ri raketor nga ana e Penianit, në takimin e jashtëzakonshëm, i cili është thirr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Japonia./21Media

Back to top button